Rajoni

Takimi Kurti-Vuçiç, zëdhënësi i BE-së: Presim qasje europiane!

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano tha sot se presin qasje europiane nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç në rrugën drejt marrëveshjes finale. Ata takohen pasdite në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Gjithçka varet nga gatishmëria e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç që të bien dakord për rrugën përpara. Bashkimi Europian është vetëm ndërmjetësues në dialog dhe përparimi varet nga gatishmëria e palëve.

Pritshmëritë e BE-së nga liderët e të dy shteteve, shefat negociatorë, përfaqësuesit, është qasja europiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis europian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës europiane për Kosovën dhe Serbinë.

Stano vuri në dukje se e ardhmja europiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga përparimi që bëhet në dialog.

Përparimi arrihet përmes kompromiseve, angazhimit konstruktiv dhe të kuptuarit se kjo është mënyra e vetme për të përmbushur synimet e tyre strategjike.

Takimin e gjashtë mes dy liderëve, Unioni e konsideron si më të rëndësishmin, se kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve. Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Ndërsa sot pritet me interes takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Uashingtoni zyrtar e quan “mundësi për popujt e tyre, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Duke cituar BE-në, një zëdhënës tha se “pranimi i marrëveshjes do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në Union”.

Pranimi i marrëveshjes ndihmon në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon.

Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm në takimin mes kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë. Bisedimet konsiderohen me shumë rëndësi edhe nga Blloku europian. Sipas burimeve në Bruksel, këtë herë nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët duhet të arrijnë dakordësi mbi propozimin e BE-së, si “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve. Në Bruksel presin që Kurti dhe Vuçiç ta pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejshme. Pikë debati mund të jetë vetëm një aneks për zbatimin e pikave të marrëveshjes.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit përsërit thirrjen drejtuar Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.