Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e mbi 2.5 milion eurove pasuri të shtetasit Ndue Gjergji, i vrarë në një atentat më 2020-ën e të familjarëve të tij. Sipas organit të akuzës, u provua se ka qenë nën hetim në Holandë për veprën penale të “Pastrimit të parave”, si edhe i arrestuar e i dënuar për drogë në Itali.
“Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale”.
Njoftimi zyrtar:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë paraqiti kërkesën për konfiskimin e të paktën 2.5 milionë euro pasuri të shtetasit N.Gj., i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 si pasojë e një atentati me armë zjarri dhe e familjarëve të tij, pasi u provua se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.03, të vitit 2023, në ngarkim të këtij shtetasi, rezultoi se i ndjeri ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale “Trafikimit të lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘Pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Bazuar sa më sipër, prokuroria vlerësoi se pasuritë e tij dhe familjarëve plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi N. Gj, ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Pastrimi i parave”.