Aktualitet

Goditen 3 Call Center në Tiranë, vodhën 50 milion euro nga europianët!

Prokuroria e Tiranës lëshoi 7 urdhër-arreste dhe 2 ndalim daljeje jashtë vendit, në kuadër të operacionit të zhvilluar mbrëmë në kryeqytet ku u goditën 3 Call Center që mashtronin të huaj, me qëllim zhvatjen e shumave të mëdha të parave. Ndaj të gjithëve rëndon vepra penale “Mashtrim kompjuterik”.

Hetimet tregojnë për mijëra qytetarë europianë të mashtruar, ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky aktivitet dyshohet të kalojë shifrën e 50 milion eurove. Nën hetim janë dhe të tjera baza të dyshuara se shërbejnë si Call Center-a mashtrimi.

Deri më tani u konfirmua ekzekutimi i 3 prej 7 masave të sigurisë “Arrest me burg” për Eduart Dallën, Mateo Hoxhën e Tedi Agastrën. Dyshohet se Hoxha dhe Agastra konvertonin në kriptomonedha, shumat e përfituara, për të fshehur gjurmët e parave.

Tedi Agastra ka qenë edhe më herët nën hetim, pas një operacioni kundër kriptovalutave. Dy Call Center gjenden pranë Kopshtit Zoologjik dhe një tjetër në Rrugën e Kavajës. Mbi 80 operatorë u shoqëruan për t’u marrë në pyetje. Gjatë kontrolleve, agjentët e policisë sekuestruan mbi 800 mijë euro cash, si dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh, përfshirë kompjutera, USB, servera e kamera sigurie.

Të përfshirë në operacion ishin edhe autoritetet gjermane e austriake që shërbyen si indikatorë, duke referuar materialet në dispozicion, te institucionet e vendit tonë. Hetimet kishin nisur 2 vite më parë, pasi autoritetet gjermane dhe austriake ndanë informacionet që dispononin me autoritetet shqiptare.