Bashkia Tropojë njofton se, pas marrjes së informacionit për disa qytetarë të bllokuar nga reshjet e dendura të dëborës në zonën e Bjeshkës së Javorrit, një grup i parë mjetesh dhe punonjësish është nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
Megjithatë, për shkak të kushteve tejet të vështira atmosferike dhe trashësisë së dëborës mbi 70 cm, mjetet nuk kanë mundur të arrijnë deri në pikën ku ndodhen të bllokuarit.
Në këto rrethana, Bashkia ka vendosur të dërgojë trupa dhe mjete shtesë, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve të bllokuar, si edhe të forcave që po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e ndërhyrjes me helikopter, nëse kushtet në terren e kërkojnë një gjë të tillë.
Bashkia Tropojë mbetet e angazhuar maksimalisht dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Sa i takon situatës në mbarë vendin, reshje dëbore dhe temperatura nën zero janë shënuar gjatë natës së mëngjesit të sotëm (3 tetor) në Steblevë të Librazhdit. Trashësia e borës në këtë zonë ka kaluar 10 centimetra, ndërsa temperaturat kanë zbritur deri në -2°C. Sipas Emergjencave Civile pranë kësaj Bashkie, për shkak të ngricave, aksi nacional Librazhd–Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë ose goma dimërore. Ndërkohë, disa fshatra të Njësisë Administrative Steblevë ndodhen pa energji elektrike, pasi linjat e transmetimit janë dëmtuar nga moti i keq.
Në Qarkun e Kukësit, moti ka qenë i vrenjtur, me reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar dhe erëra e për pasojë ka pasur dhe rënie inertesh dhe gurësh në disa segmente rrugësh.
Megjithatë, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht dhe në asnjërën nga tri bashkitë nuk ka raportime për ndonjë emergjencë.
I vetmi problem është shkëputja e energjisë elektrike në fshatrat Kollovoz, Novosej e Topojan të Kukësit, në fshatrat Kishaj e Pogaj të Hasit e pjesërisht Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër.
Edhe në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër kemi rënie të ndjeshme të temperaturave. Në Qafë-Thore e Qafë Mali (Fushë Arrëz) kanë filluar reshjet e para të dëborës, ku trashësia arrin deri në 2 cm, ndërsa subjektet e mirëmbajtjes kanë filluar kriposjen e tyre. Për këto dy zona, trashësia e dëborës arrin rreth 2 cm.
Kalueshmëria e rrugëve në të gjithë territorin e qarkut është e plotë dhe pa pengesa.