Bota

Të paktën 27 palestinezë vriten pranë një pike ndihmash në Gaza!

Të paktën 27 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit pranë një qendre shpërndarjeje ushqimi në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Ushtria deklaroi se u hap zjarr ndaj një grupi individësh që sipas saj kishin devijuar nga rrugët e caktuara afër qendrës së shpërndarjes së ndihmave humanitare, në Rafah.

Po hetojmë se çfarë ka ndodhur.

Vdekjet ndodhën disa orë pasi Izraeli njoftoi se tre ushtarë u vranë në luftime në pjesën veriore të Gazës, me forcat izraelite vazhdojnë ofensivën kundër militantëve të Hamasit. Agjencia Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportimet nga veriu dhe jugu i Gazës.

Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA-të, javën e kaluar hapi qendrat e para të shpërndarjes së ndihmave me qëllim lehtësimin e urisë së përhapur në mesin e popullsisë së rraskapitur nga lufta, shumica e të cilëve janë detyruar të braktisin shtëpitë për t’i shpëtuar luftimeve.

Plani i ndihmave i këtij fondacioni, i cili anashkalon organizatat tradicionale humanitare është kritikuar ashpër nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të njohura humanitare që thonë se nuk ndjek parimet humanitare. Grupi privat i mbështetur nga Izraeli, njoftoi se sot shpërndau 21 kamionë me ushqime dhe se operacioni ishte zhvilluar “në mënyrë të sigurt e pa incidente brenda qendrës së shpërndarjes”.

Ka raportime të vazhdueshme për vrasje, ndërsa turma të njerëzve grumbullohen për të marrë ndihma jetike. Të dielën, zyrtarë palestinezë dhe ndërkombëtarë raportuan se të paktën 31 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Dje u raportua se tre palestinezë të tjerë u vranë nga zjarri izraelit.

Ushtria izraelite mohon se ka shënjestruar civilët që po mblidheshin për të marrë ndihma dhe raportimet për vdekjet gjatë shpërndarjes së ndihmave të dielën i quajti “trillime” nga Hamasi. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh “i tmerruar” nga raportimet për palestinezë të vrarë dhe plagosur ndërsa kërkonin ndihma e kërkoi një hetim të pavarur.

Izraeli e nisi fushatën ushtarake në Gaza pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantë të udhëhequr nga Hamasi vranë 1 mijë e 200 persona dhe morën 251 pengje. Në luftimet që pasuan, më shumë se 54 mijë palestinezë janë vrarë, referuar autoriteteve lokale shëndetësore.