Të paktën 21 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën sot ndërsa shkonin për të marrë ushqime në një qendër për shpërndarjen e ndihmës në Rripin e Gazës. Bilanci erdhi nga një spital fushor i Kryqit të Kuq e disa dëshmitarë. Ata treguan se forcat izraelite hapën zjarr ndaj turmës së njerëzve që gjendej rreth 1 kilometër larg qendrës së ndihmës, e menaxhuar nga një fondacion i mbështetur prej Izraelit.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar, por fondacioni deklaroi se shpërndau ndihma “pa asnjë incident” në mëngjes duke mohuar raportimet e mëparshme për kaos e të shtëna rreth qendrave të ndihmës, të vendosura në zona ushtarake izraelite, ku aksesi i pavarur është i kufizuar.
Zyrtarë të spitalit fushor bënë të ditur se të paktën 21 persona u vranë e 175 mbetën të plagosur, por nuk thanë se kush hapi zjarr ndaj tyre. Një reporter i Associated Press raportoi se pa dhjetëra persona duke u trajtuar në atë spital.
Shpërndarja e ndihmave nga Fondacioni Humanitar për Gazën është shoqëruar me kaos e dhjetëra dëshmitarë kanë rrëfyer se trupat izraelite hapën zjarr ndaj turmave pranë qendrave të ndihmës.
Para ditës së sotme, të paktën 6 persona u vranë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën, referuar zyrtarëve lokalë shëndetësorë.
Fondacioni njoftoi se kontraktorë privatë të sigurisë ruajnë qendrat e tij dhe ata nuk kanë hapur zjarr ndaj turmave. Nga ana e saj, ushtria izraelite ka pranuar të ketë hapur zjarr në raste të mëparshme.
Përmes një deklarate, ky fondacion deklaroi se ka shpërndarë 16 kamionë me ndihma mëngjesin e sotëm, pa asnjë incident, duke hedhur poshtë ato që i cilësoi raportime të rreme lidhur me vdekje, të plagosur e kaos.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i ri i shpërndarjes së ndihmës synon që Hamasi, grupi palestinez i shpallur “organizatë terroriste” nga Amerika dhe Bashkimi Europian, të mos e devijojë. Izraeli nuk ka dhënë dëshmi se pati devijim të ndihmës dhe Kombet e Bashkuara mohuan të ketë ndodhur diçka e tillë.
Agjencitë e OKB-së e të tjera grupe të mëdha të ndihmës kanë refuzuar që të punojmë me sistemin e ri për shpërndarjen e ndihmave, duke argumentuar se “shkel parimet humanitare pasi lejon Izraelin të kontrollojë se kush merr ndihma dhe i detyron njerëzit që të zhvendosen në qendrat e ndihmës, duke rrezikuar edhe një zhvendosje masive në territorin palestinez”.