Health & Beauty

Të provuara shkencërisht, tri metoda të thjeshta për të përmirësuar kujtesën!

Nëse dëshironi të forconi kujtesën dhe të ruani shëndetin mendor, tre zakone të thjeshta mund t’ju ndihmojnë dukshëm. Neurologu Baibing Cheng ka ndarë disa rekomandime profesionale, duke theksuar se këto metoda e rrisin kapacitetin e kujtesës dhe aftësinë për të ruajtur informacionet. “Mësoji të tjerët atë që ti vetë mëson”. Kjo nënkupton ndarjen e çdo informacioni të ri apo aftësie të fituar me dikë tjetër. Vetë procesi i shpjegimit ndihmon në kuptimin më të thellë dhe krijimin e kujtimeve më të qëndrueshme.

Për shembull, nëse sot mësoni një koncept të ri, përpiquni ta shpjegoni atë një miku, partneri apo edhe thjesht duke e thënë me zë të lartë sikur t’i flisnit një kafshe shtëpiake. Vetë verbalizimi i njohurive forcon lidhjet nervore në tru dhe i bën kujtimet më afatgjata. Ky fenomen njihet si “efekti i prototipit”, sepse procesi i ndarjes së dijes ju detyron të përpunoni më thellë informacionin, gjë që përmirëson kuptimin dhe kujtesën. Studime në psikologjinë kognitive e kanë vërtetuar se rikujtimi aktiv është një nga teknikat më efikase të të nxënit. Metoda e dytë lidhet me përdorimin e shumë shqisave njëkohësisht.

Në vend që thjesht të lexoni, provoni të këndoni me zë, shkruani atë që mësoni, lidheni me një element vizual ose shoqërojeni me një lëvizje trupore. Sa më shumë shqisa të përfshini, aq më i fortë bëhet kujtimi. Kjo mbështetet në teorinë e kodimit të dyfishtë, e cila ka treguar se kombinimi i informacionit verbal me imazhe vizuale përmirëson dukshëm kujtesën.

Një shembull i fuqishëm është “teknika e pallatit të kujtesës”, që përdoret prej lashtësisë nga oratorët grekë dhe romakë, e të cilën edhe vetë neurologu Cheng e ka përdorur gjatë studimeve të mjekësisë. Kjo teknikë konsiston në lidhjen e fakteve me vende të njohura, për shembull imagjinoni se çdo informacion e vendosni në një dhomë të ndryshme të shtëpisë suaj dhe më pas “ecni” mendërisht nëpër ato dhoma për t’i rikujtuar. Metoda e tretë është mësimi i shpërndarë në kohë. Studimet e neuroshkencës tregojnë se përsëritja në intervale është mënyra më e mirë për të kaluar informacionin nga kujtesa afatshkurtër në atë afatgjatë.