Studime të reja tregojnë se rënia e kujtesës me kalimin e moshës nuk ndodh gjithmonë gradualisht, sipas “The Times.” Një test, që përfshiu mbi 10 mijë skanime MRI dhe rreth 13 mijë teste kujtese, ka zbuluar se truri mund të arrijë një “pikë kritike”, pas së cilës harresa përshpejtohet ndjeshëm.
Sipas kërkimit, të botuar në revistën “Nature Communications”, humbja e kujtesës nuk lidhet vetëm me dëmtimin e një zone të vetme të trurit, siç mendohej më parë, por me ndryshime strukturore të përhapura në shkallë të gjerë.
Kur atrofia e trurit kalon një nivel të caktuar, performanca e kujtesës bie më shpejt dhe më thellë.
Tradicionalisht, vëmendja ishte përqendruar te hipokampusi, një zonë kyçe për formimin e kujtimeve. Por studimi i ri tregon se, ndonëse lidhja më e fortë mbetet aty, edhe rajone të tjera si amigdala, talamusi, kaudati dhe insula luajnë rol të rëndësishëm në rënien e kujtesës.
Një nga gjetjet më domethënëse është modeli jolinear i kësaj rënieje.
Për shumë individë, kujtesa mbetet relativisht e qëndrueshme për vite me radhë, derisa ndryshimet strukturore të trurit arrijnë një prag kritik.
Pas këtij momenti, përkeqësimi bëhet i shpejtë dhe më i dukshëm. Mosha rezulton faktor kyç në forcimin e lidhjes mes tkurrjes së trurit dhe humbjes së kujtesës.
Studiuesit vërejnë se pas moshës 60 vjeç, kjo lidhje bëhet shumë më e fortë, ndërsa në të 70-at dhe 80-at edhe ndryshime më të lehta strukturore mund të shoqërohen me rënie të dukshme njohëse.
Sa i përket faktorëve gjenetikë, si aleli APOE ε4 i lidhur me Alzheimerin, studimi tregon se ai rrit rrezikun për atrofi dhe rënie të kujtesës, por nuk e forcon drejtpërdrejt lidhjen mes dëmtimit strukturor dhe performancës së kujtesës.
Në përfundim, studiuesit theksojnë se humbja e kujtesës është një problem i të gjithë trurit, jo vetëm i një zone të veçantë. Kjo qasje e re hap rrugën për zbulimin më të hershëm të rrezikut dhe për ndërhyrje më të personalizuara, duke e parë shëndetin njohës si rezultat të funksionimit të një rrjeti të tërë strukturash cerebrale.