Aktualitet

‘Të skllavërohesh me dëshirë’! Si manipulohen të rinjtë nga trafikantët e drogës në Angli?!

Trafikimi i qenieve njerëzore vijon të mbetet një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare, teksa shifrat nuk japin shumë optimizëm lidhur me përmirësimin e situatës. Përkundrazi, format e trafikimit të qenieve njerëzore janë bërë mjaft të larmishme dhe joshëse, saqë në disa raste viktima, as nuk arrin ta kuptojë se ka rënë pre e këtij fenomeni.

Kryefjala e javëve të fundit ka qenë padyshim numri i lartë i shqiptarëve që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar, si pasojë e një trafiku të mirëorganizuar të grupeve kriminale që veprojnë kryesisht në Belgjikë dhe Francë. Edhe pse disa kohë fenomeni i trafikimit me gomone u venit, duke i lënë vendin kamionëve, vitin e fundit pati një rikthim të fuqishëm nga çmimi i lirë që ofronin trafikantët por në kushte çnjerëzore dhe duke rrezikuar jetën në çdo moment me gomone të tejmbushura, motorë që të lënë në mes të detit e kushteve ekstreme të motit.

Si një ndër qytetet me të varfra të Shqipërisë, Kukësi është padyshim një nga rajonet më të prekura lidhur me këtë fenomen, por varfëria nuk është ndoshta i vetmi shkak, joshja e të rinjve qoftë edhe nga të afërm të tyre, po. Por si ndodh kjo?! Një 27 vjeçar nga Kukësi por banues në Tiranë, i rënë pre e kësaj gjëje pak kohë më parë e shpjegon me detaje fenomenin, i cili përfundoi me burgosjen e tij dhe me pasoja psikologjike ende të pashëruara plotësisht.  Grupet e organizuara të trafikut që herë pas here mund të qëllojnë edhe të afërmit e tu në këtë qytet, kanë nevojë për njerëz të besueshëm në bizneset e tyre të ashtuquajtura ‘Shtëpitë e Barit’.

Ne arritëm të bisedonim me të riun të cilin e gjejmë të ulur në një kafe në zonën e ‘Qytetit Studenti’, ashtu siç ai tregon, me para sa për të paguar kafenë dhe ushqyer në një mensë me një vakt në ditë,

Prezantimi

“Një nga grupet që vepronin në Birmingham me në krye kushëririn tim, më propozoi që të shkoja në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar në një ‘shtëpi bari’, konkretisht si mirëmbajtës dhe roje sigurie. Pasi nuk po ia dilja të paguaja as qeranë e shtëpisë dhe rroga ime si operator në një kompani celulare nuk më dilte as deri në mes të muajit, vendosa të provoj fatin.

Mbërritja

Kushëriri im më tha se duhet të udhëtoja drejt Belgjikës si një turist i zakonshëm në vendet e BE-së. Do flija një natë ose më shumë në hotel pranë doganës në Oostende ku aty do takohesha me personin i cili do më drejtonte drejt kamionit me të cilin do kaloja kufirin. Pasi fjeta dy netë në hotel me shpenzimet e mia, në mesnatë nisem bashkë me personin në fjalë për të hipur fshehurazi në kamion aty ku gjej edhe dhjetëra të rinj të tjerë, madje disa prej të cilëve arrita t’i njihja. Duke qëndruar në një qetësi vdekjeprurëse pas disa orësh arrijmë të kalojmë kufirin dhe disa kilometra pasi futemi në Mbretërinë e Bashkuar, braktisim kamionin në mënyrë kaotike. Mua më kishin thënë që të mos lëviz nga vendi sepse aty do më priste dikush që kishte kontakt me shoferin e kamionit. Nuk ishte e veshtirë të më gjenin pasi u veçova menjëherë nga turma dhe’ kontakti’ arriti të më shquante menjëherë. Hipi në makinën e tij dhe e gjej veten në mes të shumë të njohurve dhe kushërinjve të cilët më pritën me të gjitha të mirat. Për pagesën e rrugës kushëriri im më tha se ‘ishte kujdesur’ vetë dhe se do ta paguaja sapo të merrja pagesat e para.

Nis puna.

Ata zotëronin disa apartamente ku kultivonin kanabis në disa lagje të ndryshme të Birminghamit. Më thanë se është një punë mjaft e lehtë dhe se do të kënaqesha, mjafton të kisha karikim në tel, dhe të furnizohesha mire në market me ushqim.  Më duhet të kujdesesha për rritjen e bimëve, si dhe të raportoja për çdo lëvizje të dyshimtë të policisë apo grupeve rivale. ‘Qëndrimi mbyllur pothuaj 24 orë në një apartament pothuaj të paajrosur dhe dalja vetëm në disa orare mundësisht pa rënë në sy dhe vetëm për nevoja emergjente filloi të më shkaktonte një presion psikologjik që në ditët e para.

Frika se mund të të thyejnë shtëpinë ku mund të të rrezikohej dhe jeta me shoqëronte gjatë gjithë kohës, duke u shndrruar në një paranojak për lëvizjet më të vogla.

Burgu

Në një ditë të zakonshme ‘pune’ policia bastis shtëpinë dhe unë nuk arrita të bëja as lëvizjen më të vogël. Gjatë një aksioni të frikshëm policer u arrestova në flagrance dhe përfundoj në burg për tre muaj. Në burg kushëriri im më merr në telefon dhe më thotë që nuk duhet të tregoj asgjë, se nuk i njoh pronarët dhe se nuk i kam takuar kurrë. Më premtuan se do paguanin paratë dhe do më nxirrnin por kjo nuk ndodhi kurrë me justifikimin se shumë shtëpi të tjera ‘kishin dështuar’ dhe nuk na gjendeshin para. 3 muaj në burg ku përjetova një tmerr psikologjik dhe ku më duhet të shkembeja edhe veshjet për një paketë cigare kaluan mjaft ngadalë dhe i përjetova mjaft keq.

Dalja

Pa asnjë kacidhe në xhep dhe i dërrmuar fizikisht dhe psikologjikisht mbërrij me avionin e të riatdhesuarve në Tiranë. Shtëpinë me qera e kisha lënë, dhe një shoku im i univeristetit pranon të më marrë në konvikt për disa kohë derisa të stabilizohesha. Kanë kaluar dy muaj dhe unë nuk kam gjetur as punë, as asgjë. Po jetoj me paratë që më kanë dërguar të shtëpisë me mundësi tmerrsisht të pakta. Kushërinjtë ‘anglezë’ kanë tentuar të më telefonojnë por nuk ua kam hapur telefonin. Fare mirë mund t’i kisha kallëzuar por nuk doja të isha ‘spiuni’. Tashmë as nuk dua të dëgjoj më kurrë për ta.

Raste të ngjashme tregojnë se qytetarët shpesh janë të paditur ose të painformuar se mund të kenë rënë pre trafikimit të qenieve njerëzore. Do duhet shumë kohë derisa të vuajnë pasojat e ‘skllavërisë’ moderne’ për të kuptuar se çfarë ndodhi në të vërtetë. Prandaj informimi dhe trajtimi si duhet i kësaj teme mund t’i ndërgjegjësoje të rinjtë të tregohen më të ftohtë dhe të mos bien pre e joshjeve të momentit kushtëzuar edhe nga shumë rrethana të tjera jetësore të cilat i bëjnë të marrin vendimet e gabuara./Edi Hallaçi.