Botë e Çuditshme Design

Të thurësh ëndrrat, një nga traditat më të vjetra të këtij vendi…

Për më shumë se 300 vjet, gratë që banojnë rreth një liqeni në ishullin Mindao të Filipines, kanë thurur në tekstile ëndrrat që shikojnë natën. Gjatë konflikteve të armatosura, ky ishull shihej si një vend i frikshëm dhe i braktisur, por së fundmi ka hapur dyert duke mirëpritur vizitorë. Ata njihen aty me një nga traditat më të vjetra aziatike, thurjen e ëndrrave.

Njerëzit indigjenë kanë përcjellë brez pas brezi praktikën e endjes së ëndrrave, që quhet në gjuhën vendase T’nalak. Tekstilet që thurin gratë janë bërë nga fibra natyrale të marra nga kërcejtë e bimës abaca, e ngjashme me bananen. Fshatarët besojnë se perëndesha “Fu Dalu” komunikon me gratë duke u shfaqur në ëndrrat e tyre si një figurë kafshe ose njerëzore. Më pas, mjeshtrit e endjes së ëndrrave i interpretojnë këto vizione në modele që zakonisht duan tre deri në katër muaj për t’u endur.

Qendra e thurjes “Lang Dulay T’nalak”, e vendosur në një shtëpi prej druri, 3 km në lindje të liqenit Sebu, është një nga qendrat kryesore të thurjeve. Aftësia për të transformuar ëndrrat në modele konsiderohet një aftësi misterioze, ndaj vetëm disa gra të zgjedhura mund të bëhen endëse ëndrrash. Sipas Muzeut të Historisë të Filipineve, endja e ëndrrave dikur ishte shumë më e përhapur. Por tashmë kjo traditë po zbehet dhe mjeshtrit e vërtetë që kanë mbetur ende gjallë, janë të paktë. Maria Todi, drejtuese e Shkollës së Traditave të Jetesës tha se:

Këto tekstile të çmuara dikur përdoreshin si monedha, madje mund të zëvendësonin lopët ose buallin si dhurata në dasma. Mirëpo u asimilua me shpejtësi në shoqërinë moderne, si shumë nga traditat tona. Arsyeja që ne themeluam shkollën është për të ringjallur traditën dhe për t’i lënë të rinjve të kuptojnë se kur kultura jonë vdes, ekzistenca jonë gjithashtu vdes.