Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha një intervistë për agjencinë amerikane Bloomberg, ku foli edhe për tensionet në veri.
Kurti kundërshtoi thirrjet nga aleatët kryesorë në SHBA dhe Evropë për të hequr dorë nga një konfrontim me Serbinë që ka çuar në dhunën më të keqe në një dekadë.
Sipas tij, Beogradi duhet të bëjë hapin e parë.
‘Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj. Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme. Duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, theksoi kreu i qeverisë së Kosovës.
Tensionet janë rritur në veri, pasi serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Krahas thirrjeve ndaj Kosovës, Serbisë i është kërkuar që kërkuar që t’i tërheqë forcat e armatosura nga zona afër kufirit, dhe që të ulë nivelin e gatishmërisë ushtarake, si dhe të kërkojë nga protestuesit në veri të jenë në qetë.
Kurti ka vlerësuar se gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe se kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt, “po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”.
“Për t’u bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina, që është kryeqyteti i shtetit më demokratik, e me policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi, i cili duke mos u distancuar nga krimet e [ish liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.