Aktualitet

Tentoi të grabiste një pikë transfertash parash në Shkozë, arrestohet!

Një 23-vjeçar ra në pranga, i dyshuar se tentoi të grabiste një subjekt për transferta parash në zonën e Shkozës në Tiranë, duke kërcënuar punonjësit me një armë lodër.

Sipas bluve, i riu hyri në ambientet e subjektit dhe nën kërcënimin e sendit që dyshohej si armë zjarri, tentoi të merrte një shumë parash, por pa sukses.

Menjëherë pas ngjarjes është bërë e mundur neutralizimi dhe kapja e autorit K.Y., 23 vjeç.

Gjatë kontrollit të zonës përreth, uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e përdorur gjatë tentativës së grabitjes, i dyshuar se ishte armë zjarri plastike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.