Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) Tiranë, ka hapur një tender me vlerë 198,9 milionë lekë për rikonstruksionin e kabinave elektrike 20 kV në disa nënstacione të Tiranës, konkretisht në Kashar, Qendër, Selitë dhe Farkë.
Ky investim synon përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike në një zonë me zhvillim të lartë urban dhe rritje të konsiderueshme të konsumit të energjisë.
Sipas dokumentacionit të bërë publik në Agjencinë e Prokurimit Publik, investimi do të përfshijë ndërhyrje në kabina dhe në rrjetin shpërndarës, i cili aktualisht ndodhet jashtë kushteve optimale teknike, me humbje të larta dhe defekte të shpeshta.
Investimet përfshijnë lagje me zhvillim intensiv si Unaza e Vogël, Fusha e Aviacionit, Allias, Shkozë, Lundër, Sauk, Paskuqan, Laprakë dhe Don Bosko. Këto zona përballen me ngarkesë të lartë të fiderave ekzistues, çka ka sjellë rënie të cilësisë së furnizimit dhe nevojën për një infrastrukturë të re.
Projekti pritet të prekë rreth 3000 abonentë, nga të cilët 70% janë familjarë, 25% biznese private dhe 5% institucione.
Investimi konsiderohet i domosdoshëm për të garantuar sigurinë teknike të rrjetit dhe për të përmbushur kërkesat në rritje të konsumatorëve, duke balancuar ngarkesat në nënstacione, linjat e tensionit të mesëm dhe rrjetin e tensionit të ulët.
Përmes këtij projekti, OSSH synon të zvogëlojë humbjet teknike dhe të përmirësojë performancën e rrjetit shpërndarës në kryeqytet, në përputhje me strategjinë e saj të zhvillimit afatgjatë.