Bota

Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 goditi Afganistanin verior/Viktima e të plagosur!

Një tërmet me magnitudë 6.3 Rihter goditi Afganistanin verior. Raportohen 20 viktima e 300 të plagosur. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua afro 35 kilometra nga Khulmi, pranë qytetit Mazar-e-Sharif në provincën Balkh.

Agjencia amerikane specifikon se thellësia e lëkundjes sizmike ishte afro 10 kilometra. Lëkundjet u ndjenë edhe në Kabul, kryeqytetin, që ndodhet qindra kilometra larg epiqendrës.

Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) konfirmoi se epiqendra e tërmetit të regjistruar më 00:58 sipas orës lokale (20:28 me tonën), ishte në një thellësi prej 10 kilometrash ndërsa distanca nga Khulmi vlerësohet 20 kilometra.

Tërmetet janë të zakonshme në Afganistan, veçanërisht përgjatë vargmalit Hindu Kush, pranë kryqëzimit të pllakave tektonike euroaziatike e indiane. Që nga viti 1900, Afganistani verilindor është goditur nga 12 tërmete me magnitudë më të madhe se 7, sipas Brian Baptie, sizmolog në Shërbimin Gjeologjik Britanik.

Një tërmet me magnitudë 6 goditi Afganistanin lindor pranë kufirit pakistanez më 31 gusht 2025, duke vrarë më shumë se 2 mijë e 200 persona.

Më 7 tetor 2023, një tërmet me magnitudë 6.3, i ndjekur nga lëkundje të forta pasuese, vrau të paktën 4 mijë vetë, referuar të dhënave të qeverisë talebane.