Po në mbledhje Qeverie, Kryeministri informoi se sot vijnë ekipet e para të inspektorëve teknik ndërkombëtarë për të bërë një analizë dëmesh, së bashku me ekspertët tanë. Ndihma e një sërë ekipesh, mes tyre greke, turke e franceze do të bëjë që procesi të mos marrë kohë tejet të gjatë. Nga ana tjetër, Rama e cilësoi si mjaft inkurajues bilancin paraprak të kontributeve financiare për përballimin e situatës nga tërmeti. Deri tani, në banka janë mbledhur 5 milionë euro e 1.5 milionë dollarë, të cilave iu shtohen 4.5 milionë dollarë të grumbulluara në platforma donacionesh.
Por të gjithë ata që zgjedhin të dhurojnë duhet dhe të tregojnë kujdes për të mos rënë pre e mashtruesve. Një i tillë u arrestua dje pasi përmes “Facebook”-ut mblidhte donacione në emër të Rilindjes dhe kryeministrit Rama. Adresa më e sigurt, adresa unike shtetërore në platformën e-albania.al/dhuro”, tha Rama. Shefi i Ekzekutivit siguroi se të gjitha fondet do të administrohen përmes Komitetit Kombëtar të Rindërtimit. Kreu i qeverisë premtoi transparencë për çdo qindarkë.