Bota

Tërmeti shkatërrimtar në Mianmar, SHBA: Mund të jenë mbi 10 mijë viktima!

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 Rihter që goditi Mianmarin mund të ketë shkaktuar më shumë se 10 mijë të vdekur sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN, një vlerësim në përputhje me atë të ekspertëve. Për momentin, bilanci është të paktën një mijë viktima dhe 2 mijë të plagosur. Numri i të zhdukurve nuk dihet. Junta ushtarake ka drejtuar një apel urgjent ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë me ndihma humanitare.

Situata më e rëndë në qytetin Mandalay

Të paktën 694 njerëz vdiqën dhe 1 mijë e 670 të tjerë u plagosën vetëm në Mandalay, qyteti i dytë më i madh i Mianmarit, i konsideruar si zona më e prekur. Për shkak se komunikimet janë dëmtuar, shkalla e fatkeqësisë mbetet e vështirë për t’u vlerësuar dhe numri i viktimave mund të përkeqësohet ndjeshëm. Sipas gjeologëve amerikanë, kurrë më parë një tërmet me intensitet të tillë nuk e ka goditur Mianmarin në më shumë se një shekull.

Në Tajlandë, gërmimet vazhdojnë në rrënojat e kullës së shembur. Lëkundjet ishin aq të fuqishme sa mbollën tmerr një mijë kilometra larg epiqendrës, mes miliona banorëve të Bangkokut, ku tërmetet ndihen rrallë. Ekipet e shpëtimit kërkonin me radhë të mbijetuarit gjatë gjithë natës në rrënojat e një objekti 30-katësh në ndërtim, që u shemb në pak sekonda për shkak të lëkundjeve. Rrëzimi zuri dhjetëra punëtorë, të bllokuar në një mal me rrënoja e trarë çeliku të deformuar.

SHBA-të: Më shumë se 10 mijë të vdekur nga tërmeti në Mianmar

Tërmeti i fuqishëm që tronditi Mianmarin mund të ketë shkaktuar më shumë se 10 mijë të vdekur. Ky është vlerësimi i disa zyrtarëve amerikanë, siç raporton CNN. Vlerësimi është në përputhje me atë të ekspertëve që përdorin modelet e Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

Ekipi i parë kinez i shpëtimit ka shkuar në Mianmar

Ekipi i parë kinez i shpëtimit mjekësor emergjent, i përbërë nga 37 ekspertë nga provinca Yunnan shkoi në Yangon pas tërmetit të fuqishëm që shkatërroi Mianmarin. Sipas mediave të Pekinit, ekipi transportoi 112 grupe pajisjesh të specializuara, duke përfshirë ato të zbulimit të jetës plotësisht funksionale, një sistem paralajmërimi të hershëm të tërmeteve, sisteme satelitore portative e po ashtu dronë.