Një tërmet i fuqishëm ka goditur Azinë Juglindore, duke shembur objekte të larta që ishin në ndërtim në kryeqytetin tajlandez Bangkok, si dhe u rrëzuan disa godina në Mianmar.
Të paktën një person gjeti vdekjen dhe dhjetëra punëtorë u nxorën nga rrënojat e një kulle të lartë, siç raportoi Instituti Kombëtar për Urgjencat Mjekësore në Tajlandë.
Dëshmitarët në Bangkok thanë se njerëzit dolën në rrugë nga paniku që pasoi dridhjet e fuqishme të tokës. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.7 Rihter, i regjistruar në një thellësi prej 10 kilometrash. Po ashtu, vijoi aktiviteti sizmik me goditje të fuqishme.
Epiqendra e tërmetit ishte 17.2 kilometra nga Mandalaj në Mianmar, qytet që ka një popullsi prej 1.5 milion banorësh. Autoritetet në Mianmar ende nuk kanë njoftuar për dëme apo viktima.
Kemi nisur kërkimet përreth Jangonit, për të parë nëse ka viktima dhe dëme. Deri më tani nuk kemi informacione, njoftoi për agjencinë Reuters një zyrtar nga Departamenti i Zjarrfikësve në Mianmar.
Në mediat sociale janë publikuar pamje nga Mandalaj, ku shfaqen shembjet e ndërtesave. Këto imazhe nuk kanë mundur që menjëherë të verifikohen në mënyrë të pavarur. Agjencia kineze e lajmeve Xinhua, raportoi se dridhje të fuqishme të tokës janë ndjerë në provincën Junan, në jugperëndim të Kinës, që gjendet në kufi me Mianmarin. Por, autoritetet kineze nuk kanë raportuar për viktima.