Në mjediset e magazinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ky institucion organizoi testimin operacional për votimin e numërimin elektronik. Në zgjedhjet vendore të 14 Majit, në bashkitë Elbasan, Kamëz e Vorë, zgjedhësit do të votojnë elektronikisht e po ashtu numërimi do të jetë elektronik, me rezultatin që sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi pritet të dalë brenda 30 minutave. Para gazetarëve, ai theksoi se “votimi dhe numërimi elektronik garantojnë 100% fshehtësinë e votës” e po ashtu siguroi se nuk ka asnjë lloj mekanizmi që dikush të verifikojë votën e dhënë nga një zgjedhës për një subjekt të caktuar. Celibashi vuri në dukje se kushdo që thotë të kundërtën, po bën spekulime politike.
Nga pikëpamja formale, ne jemi duke përmbushur një detyrim të Kodit Zgjedhor. Sot kemi radhën e pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik, nesër do të bëhet testimi i pajisjeve të identifikimit elektronik.
Garanci të plotë ofrojnë këto paisje në lidhje me fshehtësinë e votës. Nuk ka asnjë lloj mundësie, mënyre apo mekanizmi që dikush të verifikojë votën e dhënë nga një zgjedhës, për një subjekt të caktuar.
Jo në mënyrë fare zyrtare, por kemi patur disa shqetësime të tilla që janë përcjellë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me fshehtësinë e votës. Jam këtu për të konfirmuar se garancia është e plotë, 100%. Kushdo që thotë të kundërtën është një spekulant politik.
Nuk ka asnjë lloj mundësie, as kompania, as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e askush nuk ka mundësi që të verifikojë se për kë është votuar, në mënyrë kategorike. Ne synojmë që brenda 30 minutave nga momenti që mbyllet procesi i votimit, të kemi shpalljen e rezultateve paraprake për bashkitë Vorë, Kamëz dhe Elbasan. Ky është një projekt pilot, por nga ajo që vlerësojmë, besoj se të gjitha procedurat do të kërkojnë një kohë që nga momenti kur mbyllet procesi i votimit.