TikTok tani do t’i njoftojë prindërit kur fëmija i tyre poston një video publike. Vetëm disa ditë pasi Mbretëria e Bashkuar prezantoi rregulla të reja gjithëpërfshirëse të sigurisë në internet, TikTok njoftoi më shumë mbrojtje për përdoruesit e rinj. Një veçori e re njofton prindërit kur fëmija i tyre bën një postim publik. Prindërit gjithashtu mund të njoftohen kur fëmija i tyre raporton një video, megjithëse nuk do të jenë në gjendje ta shohin përmbajtjen e raportuar. Bëhet e ditur se TikTok ka pasur opsione kontrolli prindëror për llogaritë e adoleshentëve për më shumë se pesë vjet dhe aplikacione të tjera si Instagram gjithashtu kanë mundësinë që prindërit dhe fëmijët të lidhin llogaritë e tyre.
TikTok po teston një funksion të ri të quajtur “kontrolli i përmbajtjes” (content check), i cili do t’u mundësojë krijuesve të kontrollojnë nëse videot e tyre përmbajnë ndonjë problem që mund t’i pengojë të shfaqen në faqen “For You”. Gjithçka fillon me një version të thjeshtuar të këtij funksioni, të quajtur “Content Check Lite”, i bazuar në web dhe i disponueshëm për desktop në TikTok Studio. Ky funksion do të kontrollojë nëse videot e ngarkuara përmbushin kushtet për t’u rekomanduar në “For You” dhe do të theksojë problemet e mundshme përpara publikimit.
Kompania thotë se është në “fazat e hershme” të eksperimentimit me një funksion më të zgjeruar të kontrollit të përmbajtjes, i cili do të tregojë nëse një përmbajtje është në përputhje me të gjitha udhëzimet përpara se të publikohet, si dhe do të ofrojë komente konkrete për përmirësimin e përmbajtjes që nuk është e pranueshme. Aktualisht, një grup i vogël krijuesish po merr pjesë në testim.