Aktualitet

Trafikonin pistoleta nga Kosova në Tiranë, 2 në pranga!

Një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova me qëllim shitjen në Tiranë u godit nga policia, ndërsa dy persona ranë në pranga. Pas hetimeve disamujore, u finalizua operacioni i koduar “Suspend”. U sekuestruan dy pistoleta dhe municion luftarak. U vunë në pranga dy shtetas kosovarë, të dyshuar se kanë trafikuar pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë rreth 10 mijë euro.

Policia njoftoi se si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A.P., 23 vjeç dhe K.P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë,me vlerë afro 10 000 euro.

Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.