Amerika është tronditur nga përplasja e një avioni dhe një helikopteri ushtarak mbi lumin Potomac në Uashington, në një nga hapësirat ajrore më të ngarkuara e më të ruajtura në botë, vetëm disa milje larg Shtëpisë së Bardhë, Capitol-it dhe Pentagonit.
64 persona udhëtonin në bordin e avionit dhe tre ushtarë në helikopterin e përplasur me aeroplanin gjatë një fluturimi stërvitor. Sipas disa mediave amerikane, 18 trupa të pajtë janë gjetur tashmë.
Fluturimi i përfshirë në tragjedi ishte “American Eagle 5342”, i operuar nga “PSA Airlines” me një avion CRJ-700 në emër të “American Airlines”. Gjithçka ndodhi kur po i drejtohej aeroportit kombëtar “Ronald Reagan”, më i vogël dhe më afër nga dy aeroportet e kryeqytetit. Pas aksidentit u mbyll e të gjitha fluturimet u devijuan. Presidenti Donald Trump tha se ishte “i informuar plotësisht për këtë aksident të tmerrshëm”.
Nuk dihen ende shkaqet e katastrofës. Mes hipotezave për një gabim njerëzor apo problem teknik, zyrtarët e FBI-së kanë përjashtuar çdo tregues për terrorizëm.
Aksidenti ndodhi rreth orës 21:00 kur avioni ishte duke u ulur dhe sipas pamjeve fillestare nga një kamera vëzhgimi në qendrën “Kennedy”, aty pranë, mjeti fluturues u shndërrua menjëherë në top zjarri. Përplasja do të hetohet nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), një agjenci e pavarur hetimore e qeverisë amerikane, përgjegjëse për hetimin e aksidenteve të transportit civil.