Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është nënshkruar elektronikisht gjatë fundjavës, duke lënë të kuptohet se kushtet e saj tashmë kanë hyrë në fuqi dhe se Irani nuk do të përfitojë asnjë lehtësim të ri financiar.
“Ne e nënshkruam marrëveshjen në mënyrë dixhitale dje dhe nuk është liruar asnjë fond. Dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha Vance gjatë një interviste për ABC në emisionin “Good Morning America”.
Edhe pse mundësia e një nënshkrimi elektronik ishte përmendur më herët gjatë negociatave, deri më tani nuk ishte bërë e ditur zyrtarisht se një veprim i tillë ishte kryer.
Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump njoftoi të dielën se një ceremoni formale e nënshkrimit do të zhvillohet të premten në Zvicër. Ai bëri të ditur gjithashtu se disa nga dispozitat e marrëveshjes, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, nuk do të hyjnë në fuqi deri në momentin e nënshkrimit zyrtar.
“Me hapjen e Ngushticës pas nënshkrimit të marrëveshjes të premten, për qëllime të pastrimit të minave, nafta do të rrjedhë sërish në të dy drejtimet për rajonin dhe botën”, shkroi Trump në njoftimin e tij.
Marrëveshja konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa detajet e plota të saj pritet të bëhen publike pas ceremonisë zyrtare në Zvicër.