Bota

Tragjedia e ajrore në Uashington, pikëpyetjet e Trump-it!

Ndërsa në Uashington vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit pas përplasjes së një avioni me 64 persona në bord me një helikopter ushtarak, reagoi presidenti amerikan, Donald Trump.

Eshtë një natë e kthjelltë, dritat në avion po vezullonin. Pse helikopteri nuk u ngjit më lart? Pse nuk u ul? Apo, pse nuk u kthye? Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte, në vend që të pyeste nëse e panë aeroplanin? Kjo është një situatë e keqe që duket se duhej të ishte parandaluar. JO MIRE!!!

Një avion udhëtarësh i kompanisë American Airlines me 64 vetë në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër, pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” dje në mbrëmje.

Në një deklaratë të Administratës Federale të Aviacionit thuhet se avioni po udhëtonte nga qyteti Wichita i Kansasit dhe po i afrohej pistës së uljes kur ndodhi përplasja me helikopterin, i cili po kryente një fluturim stërvitor. Aty ishin tre pjesëtarë të ushtrisë.

Kompania American Airlines saktësoi se ishin 60 udhëtarë dhe katër pjesëtarë të ekuipazhit.

Në raportet e mediave citohen burime që kanë thënë se shumë prej tyre dyshohet se kanë vdekur nga përplasja. Autoritetet thanë në një konferencë shtypi se janë përqendruar në një operacion shpëtimi që përfshin anije dhe zhytës në lumin Potomak, ngjitur me aeroportin.

I pyetur nëse kishte të mbijetuar, shefi i zjarrfikësve të Uashingtonit, John Donnelly tha:

Nuk e dimë ende, por po punojmë.

Donnelly deklaroi se ekipet prej rreth 300 vetash po punonin në kushte të vështira, në errësirë dhe ujin e ftohtë në zonë. Ndërsa zyrtarët nuk konfirmuan asnjë vdekje, senatori amerikan Roger Marshall nga Kansasi u shpreh se vajtojnë me familjet që humbën të dashurit.

Të gjitha ato jetë janë kaq të vlefshme dhe është një tragjedi që ne i humbëm ato.

Organizata e Patinazhit Artistik të Shteteve të Bashkuara, konfirmoi se disa anëtarë të këtij komuniteti dhe anëtarë të familjeve, ishin në mesin e udhëtarëve në avion.

Jemi të dërmuar nga kjo tragjedi e papërshkrueshme…, thuhet në një deklaratë të organizatës.

 Të dhënat nga avioni treguan se ai ishte në një lartësi prej rreth 120 metrash në çastin e përplasjes. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth e quajti situatën “absolutisht tragjike”.