Një nga historitë më të pazakonta në Britaninë e Madhe vjen nga Hallsands, një fshat i braktisur në Devonin Jugor, ku askush nuk lejohet të hyjë më prej vitesh. I ndërtuar gjatë shekujve XVIII dhe XIX rreth industrisë së peshkimit, Hallsands arriti kulmin e zhvillimit në fund të viteve 1800, kur kishte rreth 160 banorë, 37 shtëpi, një furrë buke, dyqan ushqimor, postë dhe një han të njohur si London Inn.
Fati i fshatit ndryshoi në vitin 1897, kur pranë bregdetit filloi nxjerrja masive e rërës dhe zhavorrit për zgjerimin e bazës detare të Marinës Mbretërore në Plymouth. Brenda pak vitesh u larguan mbi 650 mijë tonë materiale nga fundi i detit, duke dobësuar mbrojtjen natyrore që plazhi i ofronte fshatit. Banorët ngritën alarmin për pasojat, por ndërhyrja erdhi shumë vonë. Më 26 janar 1917, stuhitë e fuqishme dhe batica e lartë goditën bregdetin, duke shkatërruar një pjesë të madhe të ndërtesave dhe duke detyruar banorët të largoheshin përgjithmonë.
Fshati nuk u rindërtua kurrë. Deri në vitin 1960 kishte mbetur vetëm nj banore, Elizabeth Prettejohn, e cila jetoi në shtëpinë e fundit të banueshme deri në vdekjen e saj në vitin 1964. Sot hyrja në Hallsands është e ndaluar për shkak të shkëmbinjve të paqëndrueshëm dhe rrezikut të lartë të rrëshqitjeve të tokës. Situata u përkeqësua edhe më shumë pas një rrëshqitjeje masive në vitin 2012, e cila shkatërroi rrugën që çonte drejt pikës së vrojtimit. Megjithatë, vizitorët mund të shohin nga larg rrënojat e fshatit nga shtigjet bregdetare mbi shkëmbinj, ku ende dallohen mbetjet e hanit London Inn dhe disa prej shtëpive të dikurshme.