Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, reagoi për mbytjet e disa pushuesve në bregdetin shqiptar. Ndërkaq Klosi tha se: “Nuk kemi asnjë incident në plazhet tona sa i takon mjeteve lundruese. Kemi përsëri ngjarje, për këtë jemi kokëulur, me humbje jetësh në plazhet tona. Por ama sistemi i ruajtjes së plazhit pothuajse është ngritur në gjithë Shqipërinë, jo në kushtet që duhet por ama që po funksionon dhe kemi disa jetë të shpëtuara. Kemi një numër shumë të reduktuar në krahasim me vjet jetë të humbura në plazhe por përsëri një jetë e humbur na e rrëzon gjithë çfarë themi. Duhet të jemi së bashku me pushtetin qëndror, së bashku me pushtetin lokal dhe vetë poseduesit e operatorëve turistikë që duhet të kuptojnë se kjo është një përpjekje që vjen nga poshtë lart. Nuk mund që të vëmë njerëz të shtetit për të ruajtur plazhet, duhet të jetë vetë biznesi siç e përcakton VKM që duhet ta promovojë dhe realizojë këtë siguri”, tha ndër të tjera Klosi. Deklarata e Klosit vjen dy ditë pasi në plazhet e vendit tonë u mbytën 3 persona. Që nga fillimi i sezonit turistik, në bregdetin shqiptar kanë humbur jetën 8 persona, duke ngritur sërish alarmin se plazhet tona janë të pamonitoruara, dhe se nuk ofrojnë asnjë kusht sigurie për jetën e pushuesve.