Irani ka kërcënuar sërish Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar për një përgjigje ndaj sulmeve të tyre gjatë fundjavës.
Zëdhënësi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Ebrahim Zolfaghari, thotë se SHBA-të kanë hyrë drejtpërdrejt në luftë dhe kanë shkelur “tokën e shenjtë” të Iranit.
Ai thotë se SHBA-të do të përballen me “pasoja të rënda, të paparashikueshme dhe për të ardhur keq” përmes “operacioneve të fuqishme dhe të synuara”.
Duke folur drejtpërdrejti me Presidentin e SHBA-së në anglisht, Zolfaghari thotë “Trump, bixhozçiu! Ju mund ta filloni këtë luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë!”
Nga dje, Amerika u përfshi direkt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjall frikë për një konflikt më të gjerë rajonal. Irani tha se Shtetet e Bashkuara kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për të goditur tri objekte me raketa e bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.
Gjenerali iranian, Abdolrahim Mousavi, shef i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, sot paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane iu kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave dhe ushtrisë amerikane”.
Sulmi amerikan shkeli sovranitetin e Iranit dhe ishte i barasvlershëm me pushtimin e vendit, siç raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.
Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje. Kryediplomatja europiane, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”.