Irani e nisi ditën duke lëshuar një breshëri raketash e dronësh drejt Izraelit, si dhe paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se tani, “ushtria iraniane i ka duart e lira” për të sulmuar objektivat amerikane”, një ditë pasi SHBA-të goditën fuqishëm objektet bërthamore të Teheranit.
Shteti hebraik deklaroi se mbrojtja e tij ajrore po punon për të frenuar sulmet, që duket se kishin në shënjestër zonat veriore e qendrore të vendit, si dhe iu kërkoi qytetarëve të shkonin në vend-strehime.
Sulmin, Republika Islamike e përshkroi si valë të re të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se po sulmonte qytetet izraelite Haifa e Tel Aviv. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.
Nga dje, Amerika u përfshi direkt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjall frikë për një konflikt më të gjerë rajonal. Irani tha se Shtetet e Bashkuara kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për të goditur tri objekte me raketa e bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.
Gjenerali iranian, Abdolrahim Mousavi, shef i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, sot paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane iu kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave dhe ushtrisë amerikane”.
Sulmi amerikan shkeli sovranitetin e Iranit dhe ishte i barasvlershëm me pushtimin e vendit, siç raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.
Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje. Kryediplomatja europiane, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”.
Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzimin e luftës janë të mëdha, tha Kaja Kallas në fillim të një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku Irani u bë tema kryesore në rendin e ditës.
Sidomos mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e mirë për askënd, u shpreh Kallas, duke iu referuar një rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.
Pas sulmeve të djeshme, zyrtarët iranianë përsëritën kërcënimet e tyre për mundësinë e mbylljes së kësaj rruge kyçe detare. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin, një nga aleatët kryesorë të Iranit.