Bota

Trump braktis intervistën në NBC News, debat i ashpër gjatë transmetimit: Më ka mbaruar durimi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndërpreu papritur një intervistë me NBC News pasi u sfidua nga moderatorja Kristen Welker lidhur me pretendimet e tij se zgjedhjet në Kaliforni dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të manipuluara.

Intervista, e transmetuar të dielën në emisionin Meet the Press, u tensionua kur Welker kërkoi prova për akuzat e presidentit mbi manipulimin e procesit zgjedhor në Kaliforni. Trump u përgjigj se “e tëra çfarë duhet të bëj është të shikoj dhe të dëgjoj”, ndërsa moderatorja kundërshtoi duke theksuar se kjo nuk përbën provë.

Pas shkëmbimit të fjalëve, Trump akuzoi mediat për paragjykim dhe e quajti gazetaren “të shtrembër”, përpara se të deklaronte: “Le ta ndërpresim sepse më ka mbaruar durimi”, duke u larguar nga intervista.

Përplasja ndodhi ndërsa dyshja diskutonte trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitolin amerikan dhe pretendimet e përsëritura të Trump se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin manipuluar. Presidenti gjithashtu ngriti dyshime mbi procesin e numërimit të votave në zgjedhjet paraprake në Kaliforni, ku rezultatet nuk ishin shpallur ende për shkak të procesit të vazhdueshëm të verifikimit dhe numërimit të votave me postë.

Gjatë intervistës, Trump foli edhe për politikën e jashtme, duke mbrojtur qëndrimin e SHBA-së ndaj Iranit dhe duke argumentuar se çdo ndërhyrje amerikane do të kishte si qëllim eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian dhe nuk do të shndërrohej në një konflikt afatgjatë.

Intervista u zhvillua në Wisconsin gjatë një aktiviteti me fermerë dhe u përball me disa ndërprerje për shkak të kushteve të motit dhe problemeve teknike. Sipas NBC, Trump qëndroi për rreth 50 minuta para se të largohej nga vendi i xhirimit.