Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të mbërrijë këtë të martë në Ankara për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik.
Vizita e tij ka vënë në lëvizje një operacion të jashtëzakonshëm sigurie, me një delegacion amerikan prej rreth 1,000 personash dhe masa të paprecedenta të ndërmarra nga autoritetet turke dhe Shërbimi Sekret Amerikan.
Sipas mediave turke, automjetet speciale që do të përdorë presidenti amerikan janë transportuar tashmë në kryeqytetin turk, ndërsa edhe helikopteri presidencial ka mbërritur i çmontuar për t’u montuar në vend.
Hoteli ku do të akomodohet Trump është shndërruar në një zonë të fortifikuar. Agjentët e Shërbimit Sekret Amerikan kanë kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e hotelit dhe në zonën përreth, ndërsa objekti është mbyllur plotësisht për publikun në pritje të mbërritjes së presidentit amerikan.
Trump do të qëndrojë në suitën presidenciale prej rreth 190 metrash katrorë, e cila përfshin një dhomë gjumi të veçantë, sallon, zyrë private dhe hapësirë pune. Sipas raportimeve të mediave turke, dritaret e suitës janë antiplumb, ndërsa muret janë ndërtuar për t’i rezistuar shpërthimeve të mundshme.
Masat e sigurisë në zonë janë jashtëzakonisht të rrepta. Forcat speciale, policia turke dhe Shërbimi Sekret Amerikan kanë ngritur postblloqe në rrugët përreth hotelit, ndërsa monitorimi është maksimal. Sipas CNN Türk, niveli i sigurisë është aq i lartë sa “nuk lejohet të fluturojë as një zog”.
Hoteli ndodhet pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe në një distancë të shkurtër nga Kompleksi Presidencial, ku do të zhvillohen takimet kryesore të samitit.
Samiti i 36-të i NATO-s do të mbledhë në Ankara liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës, si dhe rreth 100 ministra, diplomatë të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Kjo është hera e parë që Turqia pret një samit të NATO-s që nga viti 2004.