Kryeministri britanik në largim, Keir Starmer njoftoi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtjen, duke deklaruar se deri në vitin 2029, Britania e Madhe do të investojë 80 miliardë paund në vit, ose rreth 92 miliardë euro, për sektorin e mbrojtjes.
Sipas Starmerit, ky plan do ta vendosë vendin në rrugën e duhur për të përmbushur angazhimin që shpenzimet ushtarake të arrijnë në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
“Ky plan do ta bëjë vendin tonë më të sigurt, duke nxitur një transformim brezash të forcave tona të armatosura. Shtimi i shoenzimeve të mbrojtjes do ta vendosë Mbretërinë e Bashkuar në trajektoren për të arritur nivelin e 3% të PBB-së gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar.”, tha Starmer.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshëndeti njoftimin, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm. “Forcimi i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar na bën të gjithëve më të fortë,” deklaroi Rutte, duke shtuar se ky është një hap në drejtimin e duhur për arritjen e objektivit prej 3.5% të PBB-së, të miratuar nga aleatët në samitin e NATO-s të mbajtur vitin e kaluar në Hagë. Në atë samit, vendet anëtare të NATO-s ranë dakord që deri në vitin 2035 të investojnë 5% të PBB-së çdo vit për mbrojtjen dhe sigurinë, ku 3.5% do të dedikohen për shpenzime ushtarake dhe pjesa tjetër për investime të lidhura me sigurinë.
Njoftimi vjen vetëm një javë pasi Starmer shpalli dorëheqjen, pas presionit të ushtruar nga partia e tij. Ai ka bërë të ditur se do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet pasardhësi. Favoriti për ta zëvendësuar është Andy Burnham, por ende nuk dihet nëse ai do të mbështesë të njëjtin plan për rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Starmer ka deklaruar se qeveria e ardhshme do të ketë mundësinë të ndërtojë mbi bazën e këtij plani. Njoftimi i tij vjen vetëm pak ditë përpara samitit të NATO-s, i cili nis më 7 korrik në Ankara.