Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nënshkroi një memorandum që e lejon Departamentin e Drejtësisë të rivendosë dënimin me vdekje në Uashington.
Nëse vret dikë ose nëse vret një oficer policie, një oficer të zbatimit të ligjit, ekziston dënimi me vdekje, iu tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
Memorandumi udhëzon konkretisht Departamentin e Drejtësisë “që ta zbatojë plotësisht dënimin me vdekje në Uashington, D.C., në rastet kur provat dhe faktet e çështjes tregojnë se duhet të përdoret dënimi me vdekje”, u shpreh sekretari i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf.
Në një tjetër zhvillim, më herët ishte një ditë vendimtare në frontin ekonomik dhe gjeopolitik për Donald Trump-in. Presidenti amerikan njoftoi një raund të ri tarifash. Duke filluar nga 1 tetori, tarifat 100% do të vendosen për çdo produkt farmaceutik të markës ose të patentuar, por jo nëse një kompani po ndërton objektin e vet të prodhimit farmaceutik në Amerikë, shpjegoi Trump.
Gjithashtu në tetor, tarifat prej 50% do të vendosen për mobilje të kuzhinës, pajisje hidrosanitare e produkte të ngjashme, si dhe 25% për importet e kamionëve të rëndë.
Alarmi i Brazilit e ndërlikon situatën ndërkombëtare, Ministri i Financave Fernando Haddad paralajmëroi se tarifat prej 50% të vendosura nga Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të nxjerrin nga biznesi shumë kompani eksportuese, të paafta për të mbijetuar pa qasje në tregun amerikan.
Trump kishte nënshkruar më parë një urdhër ekzekutiv që mbyllte dosjen TikTok, pas muajsh negociatash mbi aplikacionin kinez. Kompania që do të kontrollojë operacionet amerikane të TikTok-ut do të vlerësohet afërsisht 14 miliardë dollarë, sipas zv.presidentit J.D.Vance.