Një ditë vendimtare në frontin ekonomik dhe gjeopolitik për Donald Trump-in. Presidenti amerikan njoftoi një raund të ri tarifash. Duke filluar nga 1 tetori, tarifat 100% do të vendosen për çdo produkt farmaceutik të markës ose të patentuar, por jo nëse një kompani po ndërton objektin e vet të prodhimit farmaceutik në Amerikë, shpjegoi Trump.
Tarifat pritet të godasin vende të tilla si India, furnizuesja kryesore e produkteve farmaceutike në SHBA. Edhe kompanitë farmaceutike gjermane janë të shqetësuara, pasi Amerika është tregu i tyre më i rëndësishëm i eksportit, duke përbërë gati një të katërtën e eksporteve farmaceutike gjermane.
Vitin e kaluar, eksportet farmaceutike gjermane në SHBA u vlerësuan në rreth 27 miliardë euro, referuar Zyrës Federale të Statistikave.
Kjo e bën tregun amerikan shumë më të rëndësishëm për industrinë farmaceutike gjermane, që punëson afro 130 mijë njerëz, me tepër se për sektorë të tjerë si makineritë apo kimikatet.
Ndërsa marrëveshja midis SHBA-ve dhe Bashkimit Europian vendosi një normë bazë tarifore prej 15% për eksportet e BE-së në fillim të këtij viti, mbeti e paqartë nëse prodhuesit farmaceutikë, ata gjysmëpërçues e të drurit mbuloheshin nga ky kufizim.
Pasiguria për prodhuesit europianë vjen pas një konfuzioni të ngjashëm në sektorin e automjeteve, teksa ulja retroaktive e tarifave të SHBA-ve për automjetet e BE-së hyri dje në fuqi nga 27,5% në 15% që nga 1 gushti.
Gjithashtu në tetor, tarifat prej 50% do të vendosen për mobilje të kuzhinës, pajisje hidrosanitare e produkte të ngjashme, si dhe 25% për importet e kamionëve të rëndë.
Alarmi i Brazilit e ndërlikon situatën ndërkombëtare, Ministri i Financave Fernando Haddad paralajmëroi se tarifat prej 50% të vendosura nga Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të nxjerrin nga biznesi shumë kompani eksportuese, të paafta për të mbijetuar pa qasje në tregun amerikan.
Trump kishte nënshkruar më parë një urdhër ekzekutiv që mbyllte dosjen TikTok, pas muajsh negociatash mbi aplikacionin kinez. Kompania që do të kontrollojë operacionet amerikane të TikTok-ut do të vlerësohet afërsisht 14 miliardë dollarë, sipas zv.presidentit J.D.Vance.