Bota

Trump-Hamasit: Pranoni propozimin për 60 ditë armëpushim!

Presidenti amerikan, Donald Trump, iu bëri thirrje militantëve të Hamasit, të bien dakord me atë që e cilësoi si “propozim përfundimtar” për 60 ditë armëpushim me Izraelin, në Gaza.

Për të mirën e Lindjes së Mesme, shpresoj që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë – VETËM DO TË PËRKEQËSOHET, shkroi Trump në platformën sociale Truth Social.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë raportoi se Izraeli ra dakord me kushtet për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë të cilit, siç tha, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”. Trump shtoi se propozimi do t’i dorëzohet Hamasit nga përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit.

Sipas tij, propozimi doli pas një takimi “të gjatë e produktiv” në lidhje me Gazën, midis përfaqësuesve të tij dhe zyrtarëve izraelitë. Ndërkaq, nuk i identifikoi përfaqësuesit, por i dërguari i posaçëm i SHBA-ve, Steve Witkoff, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe zëvendëspresidenti JD Vance duhej të takoheshin dje në Uashington me Ron Dermerin, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Propozimi amerikan kërkon edhe lirimin e gjysmës së pengjeve nga Hamasi, në këmbim të të burgosurve palestinezë. Më herët, Trump iu tha gazetarëve se shpreson që mes Izraelit e militantëve të Hamasit në Gaza, shpreson që marrëveshja për pengjet të arrihet javën e ardhshme. Më 7 korrik, ai do të takohet me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti bëri të ditur se do të jetë “shumë i prerë” me Netanyahun për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza, duke shtuar se edhe vetë Netanyahu dëshiron që lufta të ndalet.

Shpresojmë që kjo të ndodhë. Mezi presim që kjo të ndodhë javën tjetër. Duam t’i nxjerrim pengjet.

Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë do të jetë e treta e tij që kur Trump u rikthye në detyrë në muajin janar. Kjo vizitë vjen pas vendimit të presidentit amerikan për t’u bashkuar me luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar centralet bërthamore iraniane.