Bota

Trump i vë sanksione Gjykatës Ndërkombëtare Penale!

Presidenti Donald Trump autorizoi sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj punonjësve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale që hetojnë shtetasit amerikanë apo të vendeve aleate si Izraeli, duke përsëritur veprimet që ndërmori gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Vendimi përkon me vizitën në Uashington të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) bashkë me ish-ministrin e mbrojtjes e një udhëheqës të grupit militant palestinez Hamas, në lidhje me luftën në Rripin e Gazës. Ende nuk dihen emrat e individëve të sanksionuar.

Në vitin 2020, gjatë administratës së parë të presidentit Trump, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj prokurores së atëhershme Fatou Bensouda dhe një prej ndihmësve të saj kryesorë, lidhur me hetimet ndaj trupave amerikane nën dyshimet për krime lufte në Afganistan.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, ICC, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie në Shtetet e Bashkuara të individëve të përcaktuar në listën e sanksioneve dhe ndalimin e tyre dhe të familjarëve, që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata e përhershme me 125 anëtarë mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte e kundër njerëzimit, gjenocid dhe agresion kundër territorit të vendeve anëtare ose nga shtetasit e tyre. Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Izraeli nuk janë anëtarë të kësaj gjykate.

Presidenti Trump e nënshkroi urdhrin ekzekutiv, pasi javën e kaluar, senatorët demokratë bllokuan  një përpjekje republikane për të miratuar një legjislacion që përcaktonte sanksione ndaj gjykatës.

Gjykata ka marrë masa për të mbrojtur punonjësit e saj nga sanksionet e mundshme amerikane, duke ua paguar rrogat tre muaj paradhënie, ndërsa pritet të përballet me kufizime financiare që mund t’i dëmtojnë funksionimin, thanë muajin e kaluar burimet për agjencinë e lajmeve Reuters.

Dhjetorin e kaluar, presidentja e gjykatës, gjyqtarja Tomoko Akane, paralajmëroi se sanksionet do të “dëmtonin me shpejtësi operacionet për të gjitha situatat dhe çështjet, si dhe do të rrezikonin vetë ekzistencën e saj”.

Edhe Rusia ka vënë në shënjestër gjykatën. Në vitin 2023, GJNP-ja lëshoi urdhër-arresti për presidentin Vladimir Putin, duke e akuzuar për krime lufte lidhur me dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Moska i ndaloi hyrjen kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan, duke e vendosur në listën e personave të kërkuar, me dy gjyqtarë.