Presidenti amerikan, Donald Trump tha se nuk do të humbasë kohë që të takojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nëse lideri i Kremlinit nuk është gati të bëjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Duhet ta dini se duhet ta arrijmë një marrëveshje. Nuk do të humb kohë kot, iu deklaroi Trump gazetarëve teksa udhëtonte për në Malajzi, nga ku nisi një tur aziatik.
Kam pasur gjithmonë marrëdhënie të mrekullueshme me Vladimir Putinin, por kjo ka qenë tepër zhgënjyese. Kam menduar se lufta do të përfundonte para se të arrihej paqja në Lindjen e Mesme.
Trump bisedoi me Putinin javën e kaluar dhe tha se planifikon ta takojë në Budapest brenda disa javësh. Megjithatë, presidenti amerikan e anuloi më vonë takimin, duke u shprehur se “palët do të takohen më vonë”.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar amerikan të ketë thënë se “administrata Trump ka përgatitur sanksione shtesë kundër ekonomisë ruse, të cilat mund të zbatohen nëse Putin e refuzon marrëveshjen për paqe”.
Shtetet e Bashkuara i tronditën tregjet e energjisë në të gjithë botën më 22 tetor, kur njoftuan se do t’i sanksionojnë kompanitë ruse të energjisë, Rosneft e Lukoil, që besohet se përmes eksporteve të naftës, financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.
Një ditë më vonë, edhe Bashkimi Europian vendosi sanksione ndaj Rosneft-it e Gazpromneft-it, një tjetër kompani e madhe e naftës, degë e gjigantit shtetëror rus, Gazprom.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.