Bota

Trump: Putin nuk do të sulmojë qytetet e Ukrainës gjatë javës së ftohtë!

Presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se homologu i tij rus, Vladimir Putin, ra dakord të mos sulmojë, për një javë kryeqytetin Kiev dhe pjesë të tjera të Ukrainës, si pasojë e të ftohtit ekstrem.

I kërkova personalisht presidentit Putin të mos godasë Kievin dhe qytete të tjera për një javë dhe ai është dakordësuar të ndalë sulmet. Ishte diçka shumë e këndshme. Shumë njerëz më thanë të mos çoja kot përpjekjet pasi nuk do t’ia arrija, por Putin pranoi. Ukrainasit gati nuk e besuan, por u lumturuan kur e morën vesh, u shpreh Trump gjatë një takimi të kabinetit të tij, që u transmetua drejtpërdrejt nga media.

Më pas, në një postim në rrjetet sociale, presidenti Volodymuyr Zelensky tha se Trump kishte bërë një deklaratë të rëndësishme për mundësinë e garantimit të sigurisë për Kievin dhe qytetet e tjera ukrainase gjatë kushteve ekstreme të motit

Ekipet tona e diskutuan këtë në Emiratet e Bashkuara. Presim që marrëveshjet të zbatohen, theksoi Zelensky, duke iu referuar takimit trepalësh Rusi-Ukrainë-SHBA që u mbajt javën e shkuar.

Ndërkohë, për mediat deklaroi se nëse Rusia nuk sulmonte infrastrukturën energjitike apo ndonjë aset tjetër energjitik të Ukrainës, edhe forcat e vendit të tij nuk do të godisnin ato të rusëve.

Teksa Trump nuk specifikoi se kur do të niste ndalja e sulmeve, sirenat e alarmit ranë të premten në katër rajone që janë pranë vijës së frontit. Forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës bënë me dije se ndaj këtyre katër rajoneve ishin lëshuar 80 dronë e një raketë balistike ruse.