Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, sot zhvillojnë bisedime tripalëshe në Abu Dhabi, duke shënuar herën e parë që përfaqësuesit e të tre vendeve ulen së bashku, që nga pushtimi rus i Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Takimi u konfirmua në orët e para të mëngjesit, pas bisedimeve në Kremlin mes presidentit rus Vladimir Putin, të dërguarit të SHBA-ve Steve Witkoff dhe Jared Kushner-it, dhëndrit të presidentit Donald Trump. Këshilltari diplomatik i Kremlinit, Yuri Ushakov, deklaroi për mediat se bisedimet ishin “të dobishme në çdo aspekt”.
Detajet e plota të takimit në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë publike dhe ende nuk është e qartë nëse delegacionet ruse e ukrainase do të kenë takime ballë për ballë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se bisedimet pritet të zgjasin dy ditë.
Steve Witkoff, Jared Kushner dhe delegacioni amerikan do të takohen me një delegacion rus të kryesuar nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtor i Agjencisë ruse të Inteligjencës Ushtarake GRU.
Administrata Trump ka shtuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, me të dërguarit amerikanë që kanë zhvilluar negociata mes Kievit e Moskës. Megjithatë, disa zyrtarë dhe analistë shprehin shqetësime se Ukraina mund të detyrohet të pranojë kushte të pafavorshme. Dy ditë më parë, Trump deklaroi:
Putin dhe Zelensky do të ishin “budallenj” nëse nuk bashkëpunojnë për të arritur një marrëveshje.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Witkoff vuri në dukje se një çështje madhore mbetet e pazgjidhur në negociata, por pa dhënë detaje.
Nga ana e tij, Zelensky theksoi se statusi i territoreve lindore të pushtuara nga Rusia mbetet një nga pikat më të ndjeshme, teksa shtoi se propozimet për paqe janë “pothuajse gati”. Rusia kërkon që Ukraina të dorëzojë rreth 20% të territorit të rajonit lindor të Donetskut, kërkesë e refuzuar nga Kievi, i cili shprehet se nuk do të heqë dorë nga tokat e mbrojtura që nga viti 2022.
Gjithashtu, Moska kërkon nga Ukraina të braktisë ambicien për t’u anëtarësuar në NATO dhe kundërshton çdo prani të trupave të Aleancës në territorin ukrainas, pas një marrëveshjeje paqeje.