Gossip Showbiz

Nga meme ikonike te akuzat për abuzim! Rikthimi i America’s Next Top Model ndez sërish zemërimin kundër Tyra Banks?

Shpërthimi legjendar i Tyra Banks në sezonin e katërt të America’s Next Top Model në vitin 2005 është kthyer prej kohësh në një nga memet më ikonike të internetit.

Por gati dy dekada më vonë, reality show i famshëm i modës rikthehet në qendër të debatit, këtë herë përmes një dokumentari të ri të Netflix, me titull Reality Check: Inside America’s Next Top Model.

Seriali dokumentar, që pati premierën më 16 shkurt 2026, premton të hedhë dritë mbi ndikimin kulturor, suksesin dhe polemikat që shoqëruan formatin, i cili u transmetua nga viti 2003 deri në 2018.

Çdo cikël paraqiste vajza të reja që konkurronin për t’u bërë modele të nivelit të lartë, përmes audicioneve, fotosesioneve dhe eliminimeve dramatike.

Programi kombinonte elementë nga formate të tjera të njohura si Fear Factor, Survivor dhe The Swan, shpesh duke adoptuar sfida ekstreme apo momente kontraverse. Tyra Banks ishte jo vetëm prezantuese, por edhe krijuese dhe producente e formatit, duke formësuar identitetin e tij, nga koncepti i famshëm i “smize” (buzëqeshja me sy) deri te kritikat e ashpra ndaj konkurrenteve.

Megjithatë, dokumentari i ri ka ndezur një valë të fortë reagimesh në rrjetet sociale dhe në media.

Shumë kritikë e akuzojnë prodhimin se shmang përgjegjësinë e plotë për mënyrën si u trajtuan disa konkurrente, përfshirë presionin për ndërhyrje estetike, komentet mbi peshën dhe trupin, si edhe situatat e tensionuara psikologjike.

Sipas reagimeve, seriali duket se fokusohet më shumë në menaxhimin e imazhit të vet sesa në një autokritikë të thellë.

Pjesëmarrja e Banks është interpretuar nga disa si një përpjekje për të mbrojtur reputacionin e saj, ndërsa kërkimfaljet e saj, kur ekzistojnë, cilësohen si të paqarta dhe jo drejtpërdrejt të adresuara ndaj personave të prekur.

Një tjetër pikë kritike është fakti që dokumentari, sipas komentuesve, nuk u jep hapësirë të mjaftueshme ish-konkurrenteve për të rrëfyer përvojat e tyre.

Në vend të kësaj, narrativa dominohet nga producentët dhe drejtuesit e shfaqjes, duke lënë përshtypjen se historia po tregohet nga një këndvështrim i kontrolluar.

Nga një fenomen kulturor që dominoi ekranet për 15 vite, America’s Next Top Model sot rikthehet jo për të festuar suksesin, por për t’u përballur me hijet e së kaluarës, dhe debati duket se sapo ka nisur.