Eliminimi i Meksikës nga Anglia në fazën e 1/8-ve të Kupës së Botës ka sjellë fundin e epokës së Javier Aguirre në stolin e kombëtares.
Menjëherë pas humbjes në stadiumin Azteca, trajneri meksikan njoftoi dorëheqjen, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për rezultatin.
“Ëndrra ka mbaruar, por kemi treguar se jemi pranë skuadrave më të mëdha. Lojtarët fitojnë ndeshje, ndërsa trajnerët i humbasin. Unë e humba këtë ndeshje”, deklaroi Aguirre në konferencën për shtyp.
Tekniku u shpreh krenar për rrugëtimin e skuadrës, edhe pse aventura në Botëror përfundoi sërish në fazën e 1/8-ve.
“Këto pesë ndeshje do të mbeten të paharrueshme. Sot i them lamtumirë kombëtares dhe largohem me shumë krenari,” shtoi ai.
Federata Meksikane ka vendosur që pasuesi i Aguirres të jetë ndihmësi i tij, Rafa Márquez, ish-kapiteni legjendar i Meksikës dhe ish-mbrojtësi i Barcelonës.
Aguirre nuk i kurseu fjalët e mira për pasardhësin e tij.
LEXO EDHE: “Eliminimi erdhi nga vendimet e trajnerit”/ Ronaldo ‘Fenomeni’ kritikon Ancelottin!
“E kam pasur fillimisht si lojtar dhe më pas si koleg. Ai është plotësisht i përgatitur për këtë detyrë. Do të jem gjithmonë pranë tij për çdo gjë që do të ketë nevojë. Rafa është një njeri me vlera dhe një trajner i shkëlqyer. Jam i bindur se do të bëjë edhe më mirë.”
Me përfundimin e sfidës mes Meksikës dhe Anglisë, mbyllen edhe ndeshjet e zhvilluara në territorin meksikan në këtë Kupë Bote. Nga kjo fazë e tutje, të gjitha ndeshjet e mbetura të turneut do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.
LEXO EDHE: Princi që nuk u bë kurrë mbret, Neymar njofton vendimin drastik pas eliminimit të Brazilit