Sport

Nga kombëtarja te Serie A/ Presidenti i ri i Fedratës Italiane: Balogun? Absurde, vendos një precedent politik të rrezikshëm!

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malagò, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të mbyllet procesi i rindërtimit të kombëtares italiane, duke nisur me emërimin e drejtorit teknik dhe më pas të trajnerit të ri.

Në një intervistë për Rai Radio 1, Malagò konfirmoi se është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga Paolo Maldini, i cili mbetet kandidati kryesor për postin e drejtorit teknik.

“Maldini ka një CV dhe kompetenca që shkojnë përtej karrierës së tij si futbollist. Ai ka dëshmuar vlerat edhe si drejtues dhe është profili ideal për të qenë pika e referimit mes presidentit dhe Këshillit Federal,” u shpreh Malagò.

Megjithatë, kreu i futbollit italian sqaroi se Federata ka edhe alternativa në rast se Maldini refuzon ofertën.

“Kemi edhe një plan B, madje edhe një plan C. Jam shumë i qetë. Brenda kësaj jave do të marrim vendimet përfundimtare edhe sa i përket trajnerit të kombëtares.”

Malagò mohoi zërat që e lidhin Federatën me kandidatë të ndryshëm për stolin e Italisë, duke theksuar se ende nuk ka zhvilluar bisedime me asnjë teknik.

“Nuk kam folur me asnjë trajner. Do të ishte në kundërshtim me mënyrën se si dua ta ndërtoj këtë projekt. Fillimisht do të zgjedhim drejtorin teknik dhe më pas, së bashku me të, do të vendosim për trajnerin.”

I pyetur nëse gara kufizohet mes Antonio Conte dhe Roberto Mancini, Malagò la të kuptohet se lista është më e gjerë.

“Nuk është e thënë që zgjedhja të jetë vetëm mes këtyre dy emrave.”

Presidenti i FIGC-së vlerësoi gatishmërinë e klubeve të Serie A për të mbështetur financiarisht Federatën në projektin e ri.

“Disponueshmëria e klubeve është shumë e rëndësishme. Nuk duhet të fokusohemi vetëm te paga e trajnerit, por te fakti që Serie A dëshiron të kontribuojë për rikthimin e kombëtares në nivelet më të larta. Kjo tregon se të gjithë e kanë kuptuar situatën dhe nevojën për një rilindje.”

Malagò komentoi edhe polemikat rreth anulimit të pezullimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke e cilësuar vendimin e FIFA-s si tepër të rrezikshëm.

“Më duket një absurditet. Kjo zgjedhje ka një shije të qartë politike, siç është shkruar edhe nga The New York Times. Është një precedent shumë i rrezikshëm, sepse cenon meritokracinë, e cila është themeli i futbollit.”

Sipas Malagòs, ndërhyrje të tilla rrezikojnë besueshmërinë e garës dhe krijojnë një precedent që nuk duhet të përsëritet në futbollin ndërkombëtar.