Në Crans-Montana, një zjarr katastrofik në lokal “Le Constellation” la pas 40 viktima dhe mbi 100 të plagosur. Por mes dhimbjes dhe tragjedisë, u shfaq një histori heroizmi që ka prekur zemrat e të gjithëve. Tahirys Dos Santos, futbollist 19-vjeçar i ekipit të dytë të FC Metz, ishte në katin e parë të lokalit kur flakët shpërthyen papritur. Ai arriti të dalë i sigurt, por kur kuptoi se e dashura e tij, Coline, ishte ende brenda, nuk u mendua dy herë u kthye në zjarr dhe e nxori nga flakët.
Pas shpëtimit, Dos Santos ka pësuar djegie në rreth 30% të trupit, duke përfshirë pjesën e pasme të kokës dhe zona të mëdha të trupit. Ai po trajtohet në një qendër speciale për djegie në Stuttgart, ku mjekët janë të kujdesshëm për ditët e para, që janë vendimtare për të parandaluar infeksionet. E dashura e tij gjithashtu mbeti e plagosur dhe ndodhet në spital.
Tragjedia e rëndë në lokalin “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, ku dhjetëra të rinj humbën jetën natën e Vitit të Ri, ka goditur rëndë dhe disa familje italiane. Mes viktimave ishte edhe 16-vjeçari Giovanni Tamburi nga Bolonja. Babai i tij, sipërmarrësi italian Giuseppe Tamburi, pronar i kompanisë së verërave, ka folur me lot në sy për mediat, duke përshkruar raportin e veçantë që kishte me të birin. “Giovanni ishte dielli im. Jetoja me të dhe për të. Ishte i dashur nga të gjithë, një djalë i sjellshëm, i mirë, shumë i aftë në shkollë dhe sport. Djali ideal për çdo prind”, rrëfen ai.