Aktualitet

U padit për shpifje nga Veliaj, Berisha nuk shkon në GJKKO/Kryebashkiaku: Gjykata vendosi që policia ta marrë forcërisht më 19 maj!

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte sot në seancën e parë të gjyqit lidhur me padinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, të cilin e akuzoi lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe lidhje me Iranin. Sipas tij, “Erion Veliaj po pastron paratë e Gardës Revolucionare të Republikës Islamike”. Berisha nuk dërgoi as avokatin në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO. Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj, i cili ishte i pranishëm deklaroi:

Sot gjykata vendosi që në datën 19 maj, në orën 10:00, Sali Berisha të shoqërohet nga policia për paraqitje të detyrueshme në gjykatë. Do të rikthehem në datë 19 maj dhe policisë do t’i shkojë njoftimi që të sjellë Sali Berishën, si të gjithë qytetarët e tjerë, që duhet të shkojë në gjykatë e të provojë akuzat.

Të akuzosh gjithë dynjanë e të mos paraqitesh në gjykatë, të thuash shpifjet nga më monstruoze, t’i futesh njerëzve te vrima e çelësit, poshtë fustanit, në krevat, të merresh me familjet e gjithë dynjasë e të mos kesh kurajon civile të shkosh në gjykatë.

Policia, sipas vendimit të gjyqtarit, duhet të bëjë detyrën dhe ta sjellë forcërisht Sali Berishën, që të përballet me akuzat dhe shpifjet që janë të padenja, jo për një plak 80-vjeçar, por për këdo që jeton e angazhohet publikisht dhe që e ka përdorur prezencën e vet publike si një qysqi e një kokëdash, vetëm për të shkatërruar normat dhe vlerat në këtë shoqëri.

Sot isha unë nismëtar i një akuze ndaj Sali Berishës, që ka mbi 30 vjet që shan dhe mallkon këdo, por çdo gjë ka një limit. Ekziston një shprehje që thotë: Hapi rrugë budallait dhe të ligut.

Por, unë nuk e besoj këtë shprehje. Unë besoj se në një vend demokratik, as budallait e as të ligut nuk i duhet hapur rrugë. Këto historitë me iranianë, Sali Berisha duhet t’i provojë në gjykatë dhe këto historitë me gardat revolucionare, me fotografi fiktive, me shpifje dhe akuza të paqena, Sali Berisha duhet t’i provojë në gjykatë.

Ka kaq kohë që më fton në debat, sot ishte momenti për të ardhur si burrë. Sali Berisha nuk është burrë. Ne këtë e dimë të gjithë. Eshtë frikacaku më i madh i këtij vendi. Eshtë 80-vjeç dhe njerëzit më thonë, lërë se ka roitur. Por nuk besoj se ai është njeri i roitur. Sali Berisha është njeri i lig. Sali Berisha ka mbjellë urrejtje, përçarje, shpifje dhe ka promovuar kulturën që ti hidh baltë, mjafton që ta njollosësh dikë, pa pikë përgjegjësie.