Sali Berishës iu ndërpre fjala ndërsa fliste në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, teksa po e trajtonte Shqipërinë si një narkoshtet. Momenti kur drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin u bë viral, ndërsa Berisha vijonte të fliste në sallë.
Duke u përpjekur ta minimizojë këtë incident, të cilin Berisha nuk e priste dhe kjo tregohet qartë edhe nga “shoku” që pësoi Albana Vokshi, kreu i PD tha sot se në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale se denoncimin e tij e vijoi tek kamera. Edhe pse në kamera nuk dëgjohet asgjë, kur mikrofoni është i fikur, kreu i PD tha se e arriti “qëllimin” e tij për të shpalosur kërkesën e opozitarëve për qeveri teknike.
“Fjala në Strasburg për diskutantët është gjithnjë dy minuta dhe ajo ndërpritet automatikisht. E vërteta është se unë e dija këtë, isha i vetëdijshëm dhe natyrisht që pjesën më pikante ia kisha rezervuar Ramës që në minutën e parë, kurse në minutën e fundit unë e dija se ajo ndërpritet, por unë vazhdova se kamera funksionon pavarësisht se zëri shuhet. Mua më interesonte kamera dhe kërkova qeverinë teknike”, tha Berisha në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale.