Kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin që ka luajtur Komisioni i Venecias në reformën në drejtësi. I pranishëm në Konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, ai tha se ‘Venecia’ ka qenë një bashkëudhëtar dhe udhërrëfyes në këtë proces.
Sipas tij, pa kontributin e këtij komisioni do të kishte qenë e pamundur Vettingu, që siç tha ai, deri në momentin që ka dhënë opinionin mbi procesin, ka pasur kundërshti edhe nga ‘rrethet ndërkombëtare’. Komisioni i Venecias, shtoi Rama, ka fituar fuqi dhe respektohet nga të gjitha instancat.
Vlerësoi mes të tjerash kontributin që ka dhënë ky komision për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, po ashtu edhe në Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, atë të 1998.
“Sot Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998. Dhe po ashtu, ka në bilancin e vet edhe një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në procese ku mendimi i Komisionit ka luajtur rol vendimtar për kahjen e procesit. Ka në bilanc dy kontribute kyçe për historinë e re ende e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, kontributet për Kodin Zgjedhor, të cilat kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij Kodi dhe kanë forcuar garancinë e standarteve demokratike dhe nga ana tjetër kontributin historik për reformën më të thellë dhe të vështirë që ka bërë Shqipëria, reformën në drejtësi, ku komisioni ka qenë bashkëudhëtar i pandarë, udhërrëfyes si gjithmonë i matur dhe autoritet që na ka ndihmuar të ruajmë busullën dhe të orientohemi në drejtimin e duhur.
Pa Komisionin e Venecias dhe kontributin e tij do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerret procesin e vettingut, ky për reformën në drejtësi, dhe që e them me plot gojën sot nuk është kryer me të njëjtën thellësi në asnjë vend që ngjashëm është përpjekur ta kryejë dhe një proces që deri në momentin e opinionit të Komisionit të Venecias kishte jo pak kundërshti edhe në rrethet profesionale ndërkombëtare. Komisioni i Venecias ndër të tjera ka fituar edhe fuqinë për t’u imponuar në të gjitha instancat dhe respektuar nga të gjitha instancat. Dhe jam dëshmitar i faktit se opinionet e Venecias respektohen në çdo nivel ndërkombëtar të lidhur me çështje të shtetit të së drejtës dhe proceset e reformave apo maave që lidhen me shtetin e së drejtës.”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se Komisioni i Venecias do të vazhdojë të jetë një partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe “një pikë referimi për ne për të kuptuar sa më mirë se çfarë duhet të bëjmë më mirë në të gjitha momentet ku do të kemi dilemat e pandalshme nga proceset e reformave dhe të ndryshimeve”.