Lufta në Ukrainë është në ditën e 1 mijë e 172-të. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer dhe kryeministri polak, Donald Tusk, së bashku në Kiev për samitin e “koalicionit të gatshëm” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre europianë po finalizojnë një propozim për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, i cili, nëse refuzohet do t’i shtyjë ata të vendosin së bashku sanksione të reja ndaj Rusisë.
Kjo u bë e ditur nga një burim diplomatik francez, i cituar nga agjencia Reuters. Presidenti ukrainas i telefonoi edhe homologut amerikan Donald Trump për ta informuar se marrëveshja për mineralet e rralla u miratua nga parlamenti i Ukrainës. Shtëpia e Bardhë reagoi për telefonatën duke e cilësuar “shumë produktive”.
Ndërkohë, gjatë fjalimit të tij në 80-vjetorin e Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, (Lufta e Dytë Botërore), presidenti Vladimir Putin deklaroi:
Rusia do të luftojë gjithmonë kundër nazizmit dhe e vërteta është në anën e saj.
Gjatë festimeve, në krah të tij qëndronte presidenti kinez Xi Jinping.
Pasi mbërriti në Kiev, për të rikonfirmuar mbështetjen europiane për Ukrainën, shefi i Elizesë, Macron shkroi në një postim në X duke shprehur një mesazh të fortë solidariteti dhe angazhimi kolektiv, teksa theksoi nevojën për një përgjigje kolektive ndaj agresionit rus dhe deklaroi se vizita e përbashkët përcolli një mesazh uniteti e vendosmërie.
Ndërkaq, Bashkimi Europian tha se mbetet i vendosur në angazhimin e tij për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë, bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara OKB dhe ligjit ndërkombëtar.
Mirëpresim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje të tillë. Ne i bashkohemi Ukrainës dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në thirrjen për një armëpushim gjithëpërfshirës e të pakushtëzuar prej të paktën 30 ditësh. Ashtu si në të kaluarën, Rusia do të demonstrojë paqen tani.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, sërish iu kërkoi autoriteteve ruse dhe ukrainase që t’i japin fund luftës. Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se ka një mesazh për Putinin dhe Zelenskyn:
Jepini fund kësaj lufte të çmendur!