Tetë zyrtarë dhe punonjës të Bashkisë së Kolonjës, përfshirë kryetarin Erion Isai, 7 zyrtarë të lartë në Autoritetin Rrugor Shqiptar, përfshirë ish drejtorin e përgjithshëm Ergys Vjerdho, si dhe pronarja e një kompanie private janë dërguar për gjykim nga SPAK me akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkeljes në tendera dhe falsifikimit të dokumenteve. SPAK ka gjetur shkelje në tre tendera në vitin 2020 që në total e kalojnë vlerën e 30 milionë eurove
Një tender të vitit 2020, me vlerë 30 milionë euro me kursin e sotëm, për ndërtimin e lotit të dytë të rrugës Korçë-Ersekë, firma e ndërtimit “A& E Enginieering” e fitoi pasi pronarja Entela Çano i kishte përcaktuar vetë si fondin limit ashtu edhe kriteret për fituesin.
Çano kishte një marrëdhënie të ngushtë me kreun e Bashkisë Kolonjë Erion Isai, i cili kishte kontaktuar me Autoritetin Rrugor Shqiptar se një projekt i ishte dhuruar për rrugën, për të cilën kërkonte financim. Por një hetim i gjatë i SPAK ka gjetur se kur Isai ka njoftuar ARRSH-në për projektin, ky nuk ekzistonte. Vetëm më vonë vartësit e tij Erjon Cenko dhe Engjëll Dine kanë falsifikuar një procesverbal me Entela Çanon e “A& E Enginieering”sh.p.k, sikur projekti ishte dorëzuar.
Jo vetëm kaq por në Autoritetin Rrugor Shqiptar, që në atë kohë drejtohej nga Ergys Verdho, ky i fundit dhe drejtuesit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, fondin limit të tenderit e përcaktuan pas e pasur projektin, duke shkelur haptazi 5 ligje që normonin punën e tyre.
Sipas Prokurorisë së Posaçme përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, Entela Çano, e cila më pas fitoi kontratën për ndërtimin e rrugës, por edhe mbikëqyrjen e zbatimit të punimeve.
SPAK ka provuar pasi ka bërë një ekspertim teknik vlerësues dhe kontabël se fondi limit është fryrë nga ARRSH me mbi 590 milionë lekë të reja, ose mbi 6 milionë euro, si dëm ekonomik i shkaktuar shtetit.
Tenderi për supervizimin me fond limit rreth 230 mijë euro, i bërë nga ARRSH më 14 tetor 2020, 3 anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave kanë favorizuar Entela Çanon dhe “A&E Engineering”, duke paracaktuar fituesin.
Për këto shkele SPAK ka njoftuar këtë të premte se ka çuar për gjykim me akuzat e shkeljes në tendera 16 persona, mes të cilëve kryetari i Bashkisë Kolonjë Erion Isai i akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe shkelje e barazisë në tendera, ish zv. kryetaren e bashkisë Eljona Mydini si dhe ish zyrtarët e lartë të ARRSH atëherë Ergys Verdho, Erald Elezi, Genti Raça etj. Gjithsej 8 zyrtarë të Bashkisë Kolonjë, 7 të ARRSH dhe ndërtuesja Entela Çano.
Zyrtarët e Bashkisë Kolonjë akuzohen edhe për një tjetër episod, një tender 50 mijë eurosh për ndërtimin e një ujësjellës në Ersekë dhe disa fshatra, edhe ky i fituar nga “A&E Engineering” e Entela Çanos.
Fondin limit të këtij tenderi, dokumentacionin e nevojshëm por edhe kriteret u përcaktuan si kostum nga Çano, në bazë të kërkesave të vetë asaj. Të gjitha dokumentet u miratuar nga punonjësit e Bashkisë Kolonjë dhe u firmosën nga vetë kryetari i saj Erion Isai.
Sa i përket zyrtarëve të ARRSH, Ergys Verdho, Erald Elezi por edhe të tjerë të pandehur në këtë dosje, janë të dyshuar për shkelje në tendera edhe në disa procedura të tjera, te lidhura me ish zv. kryeministren Balluku.
ZYRTARË TË BASHKISË KOLONJË
Erion Isai Kreu i bashkisë Kolonjë
Eljona Mydini Ish zv. Kryetare e Bashkisë Kolonjë
Erjon Cenko Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Engjëll Dine Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Ermal Zylfo Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Armand Tafil Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Muharrem Tartari Punonjës i Bashkisë Kolonjë
Shpëtim Liço Punonjës i Bashkisë Kolonjë
ZYRTARËT E ARRSH NË AKUZË
Ergys Verdho Ish kreu i ARRSH
Erald Elezi Ish drejtor në ARRSH
Genti Raça Përgjegjës preventivi në ARRSH
Donikë Shehu Ish specialiste në ARRSH
Klarita Konomi Ish specialiste në ARRSH
Nikollaq Mihali Specialisti në ARRSH
Erdit Salillari Përgjegjës sektori në ARRSH
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
Erion Isai, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodit Penal;
Eljona Mydini, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Erald Elezi, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Genti Raça, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të preventivit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Donikë Shehu, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;
Klarita Konomi, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Nikollaq Mihali, me detyrën e specialistit të nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor shqiptar, e akuzuar akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Erdit Salillari, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Erjon Cenko, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 186/ 2, 258 e 25 të Kodit Penal;
Armand Tafil, Muharrem Tartari, Shpëtim Liço, punonjës të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;
Entela Çano, me detyrën administratore pranë shoqërisë A& E Enginieering” sh.p.k., e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Nga kryerja e veprimeve hetimore, provat e administruara rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucionet e tjera shtetërore, ndërvepruese në disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.
1.Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.
Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.
Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.
Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).
Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.
2.Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020, ka rezultuar se:
Erdit Salillari, Klarita Konomi, Niko Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases Entela Çano, “A&E Engineering” sh.p.k.
3.Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit Muharem Tartari, Engjëll Dine, Ermal Zylfo, në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja Entela Çano.
Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.
Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Erion Isai, kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.