Aktualitet

URGJENTE/ Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, njoftohet mbledhja e pazakontë e gjyqtarëve!

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të hënë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja, Gjykata e Lartë ka njoftuar zhvillimin e një mbledhjeje me të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë.

Mbledhja do të mbahet ditën e enjte, më 9 tetor 2025, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe synon të adresojë çështje që lidhen me sigurinë dhe ushtrimin e funksionit gjyqësor në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja është thirrur me dakordësinë e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe në konsultim me përfaqësuesit e gjykatave të tjera, ndërsa nënvizohet se trupa gjyqësore mbetet e angazhuar në mbrojtje të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Elvis Shkambi, 30 vjeç, hyri dje i armatosur në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit dhe zbrazi armën ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja duke e lënë të vdekur, si dhe plagosi dy të tjerë.

Ngjarja tronditëse mori edhe jehonë ndërkombëtare, ndërsa vetë Shkambi, u shfaq sypatrembur pas vrasjes.

Pamjet nga kamerat e sigurisë treguan 30-vjeçarin teksa rrinte me duar në xhepa para gjykatës, dhe teksa policët po e kërkonin, ai ngriti duart duke iu thënë “jam unë”.