Celebrities Gossip

A do të ketë një fund historia mes CR7 dhe Kathryn Mayorga?! Zbulohen detaje të reja…

Çështja civile në lidhje me akuzën e sulmit seksual dhjetëvjeçar të bërë kundër Cristiano Ronaldos është rekomanduar të hidhet poshtë nga një gjykatë në Las Vegas. Gjykata civile në SHBA ka vendosur që akuzat historike të bëra nga Kathryn Mayorga të hidhen poshtë. Avokati i sulmuesit, Peter S.Christiansen tha se:

Ne jemi të kënaqur me shqyrtimin e hollësishëm të Gjykatës mbi këtë çështje dhe gatishmërinë e saj për të zbatuar ligjin në fakte dhe për të rekomanduar pushimin e çështjes civile kundër Ronaldos.

Ekipi ligjor i Mayorgas ende mund të kundërshtojë rekomandimin e gjykatës për shkarkim dhe ka 14 ditë kohë për ta bërë këtë. Çështja penale në lidhje me akuzën tashmë ishte hedhur poshtë nga Prokurori i Qarkut në Las Vegas. Në qershor të këtij viti, ekipi juridik i Ronaldo-s kërkoi nga një gjykatë federale në SHBA që të hidhte poshtë padinë civile kundër tij.

Avokatët e sulmuesit portugez pretenduan se ekipi ligjor i Mayorgas i dha ‘letra të vjedhura’ policisë në Las Vegas, të cilët po hetonin pretendimet. Në një rekomandim të ashpër për gjyqtarin që shqyrton çështjen, gjykatësi Daniel Albregts fajësoi të mërkurën avokatin e Mayorgas, Leslie Mark Stovall, për bazimin e çështjes në dokumentet e rrjedhura dhe të vjedhura, të cilat Albregts tha se ishin komunikime të privilegjuara midis Ronaldos dhe avokatëve të tij.

Heqja dorë nga çështja e Mayorgas për sjelljen e papërshtatshme të avokatit të saj është një rezultat i ashpër. Por është, për fat të keq, sanksioni i vetëm i përshtatshëm për të siguruar integritetin e procesit gjyqësor.

Sipas dokumenteve ligjore të paraqitura në Gjykatën e Qarkut të Shteteve të Bashkuara në Qarkun e Nevadës, avokatët e Ronaldos kanë kërkuar që çështja e zonjës Mayorga të pushohet që nga vera për shkak të sjelljes së ekipit të saj ligjor. Rikujtojmë, se Mayorga ka pohuar se ajo ishte sulmuar seksualisht në një dhomë hoteli në Las Vegas pas një nate të kaluar jashtë me futbollistin në vitin 2009.

Ronaldo ka vazhduar të mohojë me forcë pretendimin dhe rekomandimin e sotëm të përfundimit të çështjes. Sipas “The Mirror”, Ronaldo “bleu” heshtjen e Mayorgas 12 vjet më parë për 375,000 euro. Ajo tani po kërkon më shumë se 56 milionë euro dëmshpërblim.

Në vitin 2018, Ronaldo tha:

Unë i mohoj me forcë akuzat që janë ngritur kundër meje. Përdhunimi është një krim i neveritshëm që shkon kundër gjithçkaje në të cilën unë besoj.

Ndërkaq, transferimi i bujshëm i Cristiano Ronaldos në Manchester United në fillim të sezonit ndihmoi që ai të tejkalojë Lionel Messin për t’u bërë futbollisti me të ardhurat më të mëdha këtë vit.