Bota Tech

Apple humb pozicionin si firma më e vlefshme në botë, ja kompania që kalon në vend të parë!

Apple ka humbur pozicionin e saj si kompania më e vlefshme në botë pas një shitjeje të gjerë të aksioneve të teknologjisë. Kjo bëri që në vend të parë të kalojë prodhuesi i naftës dhe gazit, Aramco. Aksionet e Apple ranë me më shumë se 5% në New-York me një vlerësim të tregut të aksioneve prej 2.37 trilionë dollarësh. Ndërsa Aramco vlerësohej në 2.42 trilion dollarë.

Kjo është hera e parë që prodhuesi i naftës dhe gazit në Arabinë Saudite Aramco mban vendin e parë që nga viti 2020. Aksionet në prodhuesit e energjisë janë rritur këtë vit pasi kostoja e naftës së papërpunuar dhe gazit natyror është rritur. Ndërkohë aksionet e Apple kanë rënë me pothuajse 20% që nga fillimi i vitit pas një shitjeje në aksionet e teknologjisë.

Rritja e çmimeve ka qenë kërcënimi i vetëm më i madh për rimëkëmbjen e ekonomisë globale pasi ajo po del nga pandemia COVID-19. Bitcoin, kriptovalutat e tjera kryesore dhe asetet digjitale kanë vazhduar gjithashtu të bien ndjeshëm.

Rikujtojmë, se Apple ka njoftuar së fundmi se do të ndërpresë riprodhimin e iPod Touch, duke i dhënë fund një pajisjeje të vlerësuar gjerësisht për revolucionarizimin e mënyrës sesi njerëzit dëgjojnë muzikë. Sipas mediave të huaja, kur iPod-i i parë u lançua në vitin 2001, ai mund të ruante 1000 këngë ndërsa sot ka më shumë se 90 milionë këngë në shërbimin e transmetimit të Apple.

Ndërkaq, Pegatron është bërë kompania e fundit teknologjike, e cila ka ndalur operacionet për prodhim të telefonave të kompanisë amerikane Apple, iPhone, për shkak të masave të izolimit në Shangai. Kompania ka thënë se ka pezulluar përkohësisht prodhimin në dy fabrikat e saj në Kinë.