Aktualitet

Arrestohet në Dubai i shumëkërkuari Durim Bami!

Si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit, ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara, u arrestua në Dubai, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, Durim Bami.

GJKKO-ja ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Bamin, i cili akuzohet për veprat penale; “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Ndonëse Shqipëria nuk e ka ende një marrëveshje ekstradimi me Dubain, në këtë rast mund të aplikohet mënyra e deportimit. Bami u arrestua se një banesë në Dubai.

Sot ne date 12 qershor 2024 eshte arrestuar ne Dubai me qellim ekstradimi drejt vendit tone shtetasi Durim Bami datelindja 29.10.1979 pasi Gjykata e Posaçme e Shkalles se Pare Kunder Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, me vendimin Nr.49 Date 15.05.2024, ka caktuar masen e sigurise “Arrest me burg”, per kete shtetas per veprat penale; “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje” “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndeve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet, 80, 284, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal. Vijon procedura per ekstradimin e ketij shtetasi drejt vendit tone.

Më 10 qershor, policia njoftoi se autoritetet policore të Dubait shoqëruan Durim Bamin dhe vëllanë e tij, Valter Bami e se po bëhej verifikimi i gjurmëve të gishtërinjve nëse ka përputhje me të dhënat që kishin dërguar autoritetet shqiptare. Pas konfirmimit, Durim Bamit i është komunikuar dhe arresti.

Konkretisht, në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”, Durim Bami akuzohet se kishte krijuar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xhecukën dhe Erigers Mihasin. Po ashtu, sipas dosjes efektivi i RENEA-s, Altin Morina rezulton se kishte bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës së Tapizës.

Nga 50 urdhër-arreste në total për shtatë grupe kriminale, 21 janë arrestuar, 28 janë akoma në kërkim, mes tyre edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka. Besohet se më shumë se 16 vetë ishin vënë në ndjekje për të vrarë dy vëllezërit Valter dhe Durim Bami.